Zeqiri: Ardit Hila ishte lojtari i ndeshjes, Kushtrim Gashi po i mungon Ballkanit
Ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll me dy takimet e mbetura të zhvilluara këtë fundjavë, shkruan “Zeri.info”.
Gjilani ka shënuar fitore të madhe në Suharekë përballë Ballkanit me rezultat 0:4.
Në takimin e luajtur në “Fadil Vokrri” Prishtina dhe Drita kanë ndarë pikët duke luajtur 1:1.
Analisti i futbollit kosovar, Arben Zeqiri është i ftuar në emisionin “Sports Shoë”, derisa ka komentuar ndeshjen në Suharekë.
Zeqiri ka thënë se lojtari i ndeshjes ishte Ardit Hila, por që Ballkanit i ka munguar mesfushori Kushtrim Gashi.
“Ardit Hila ishte lojtari i ndeshjes, të cilin e kritikuam shumë sidomos në derbin ndaj Dritës. Ndoshta ka qenë ndeshja e tij më e mirë në karrierë, por duke iu falenderuar një Ballkani të qakorduar. Gjilani ishte shumë i organizuar sidomos nga krahët dhe rrjedhimisht shihej një dominim total. Mos të harrojmë se lojtari më i rëndësishëm te Ballkani pas Mirlind Dakut është Kushtrim Gashi. Lojtari balancues para mbrojtjes, vrapues i jashtëzakonshëm dhe ndërtues i aksioneve”, ka thënë Zeqiri. /Zeri.info