Komuna e Graçanicës anulon vendimin për ndarjen e 300,000 eurove pasi OJQ-të refuzuan t'i marrin ato

Autoritetet lokale të Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, e kanë anuluar vendimin për ndarjen e 300,000 eurove për projekte të organizatave joqeveritare.

Projektet kishin të bënin me parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe zbutjen e efekteve të pandemisë COVID-19.

Komisioni për Vlerësim i Komunës së Graçanicës, e mori këtë vendim më 16 dhjetor, pasi të 14-të organizatat joqeveritare vendosën të refuzojnë fondet që u ishin ndarë atyre në bazë të një ftese publike më 12 tetor. Këto organizata thanë se gjatë kësaj periudhe ishin ballafaquar me një “linçim të paparë mediatik”.

Vendimi i Asamblesë Komunale të Graçanicës, e cila kishte ndarë 300.000 euro për 14 organizata joqeveritare.

Radio Evropa e Lirë, ka shkruar më 2 dhjetor sesi shumica e këtyre organizatave, që kanë përfituar fondet, janë të afërta me autoritetet lokale, dhe se përfituese ka qenë edhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT), njëri nga themeluesit e së cilës është pikërisht kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, nga Lista Serbe.

Sipas raportit, edhe pjesëtarë tjerë të së njëjtës organizatë kanë përfituar fonde, por janë paraqitur në emër të organizatave tjera.

Në vendimin e komunës për të anuluar ndarjen e mjeteve, thuhet se organizatat joqeveritare nuk dëshirojnë të marrin pjesë në realizimin e projekteve, pasi janë përballur me "padrejtësi dhe linçim publik".

Pse e refuzuan OJQ-të mbështetjen financiare?

Mbështetja financiare e komunës së Graçanicës u refuzua nga organizata joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë - CPT, e cila aplikoi në një konkurs publik me projektin “Aksioni humanitar për ndihmë ndaj qytetarëve më të rrezikuar – Së bashku jemi më të fortë”.

Drejtori Ekzekutiv i CPT-së, Nenad Maksimoviq, tha në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë (RFE) se organizata që ai drejton kishte hequr dorë nga nënshkrimi i kontratave me komunën e Graçanicës, pas presionit të publikut dhe "spekulimeve të mediave, që u ngritën pas publikimit të listës së parë të fituesve të ndihmës financiare".

"Pa asnjë bazë ata më paraqitën në pozicionin e të privilegjuarit dhe si të lidhur me kryetarin aktual të komunës së Graçanicës. Ato janë informacione absolutisht të pasakta", pohon Maksimoviq.

Njëri nga themeluesit e kësaj organizate është pikërisht kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq. Kjo gjë figuron në regjistrin e organizatave joqeveritare që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës.

Megjithatë, Maksimoviq, thotë se Popoviq ka qenë para 20 vjetësh pjesë e CPT-së dhe se në vitin 2009 ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë organizatë.

"Lidhja e Qendrës për Paqe dhe Tolerancë me Sërgjan Popoviq është një pretendim tendencioz dhe keqdashës i mediave. U krijua një atmosferë sikur ne ishim në një pozitë të privilegjuar, filluan thashethemet në fshat dhe sulmet. E gjithë kjo rezultoi nga një linçim edhe i mediave shqiptare, të cilat na ndërlidhen me një organizatë që mbledh prova për krime të luftës, kundër pjesëtarëve të UÇK-së", tha Maksimoviq.

Të plotë mund ta lexoni te Radio Evropa e Lirë: