Dielli u fsheh pas hënës, eklips i plotë diellor në Argjentinë dhe Kili
Argjentina përjetoi një eklips të plotë diellor, fenomen i cili mund të shikohej në pjesë të ndryshme të vendit.
Kjo tërhoqi turistë të shumtë dhe qytetarë, të cilët u grumbulluan në vende të caktuara pavarësisht kufizimeve për të luftuar pandeminë koronavirus.
“Në momentin e eklipsit, rreth drekës,mendoj se temperatura ra, përjetuam pak më shumë erë dhe qetësi. Është e pabesueshme, nuk mund ta shpjegoj shumë me fjalë”, u shpreh psikologia, Barbara Ramirez.
Zona e ekplisit shtrihej në një hapësirë prej 90 kilometrash në Amerikën Jugore. Ishte hera e dytë, në 18 muaj, që dielli fshihej pas hënës në këtë zonë të planetit.
Përveç Argjentinës, fenomeni u përjetua edhe në Kili. Por, në këtë shtet eksperienca ishte pak më e zbehtë për shkak të motit jo të mirë. Megjithatë, përjetimi i la turistët dhe banorët lokalë pa fjalë.
“Ishte diçka shumë e çuditshme sepse papritur nisi të errësohej. Më pas, në një moment, gjithçka u qartësua. E vetmja gjë e keqe ishte se pati re dhe nuk mundëm të shikonim diellin të fshihej pas hënës”, tha vëzhguesi i eklipsit, Vicente Bustamente.
“Pata mundësinë ta shikoja vitin e kaluar dhe këtë herë është totalisht ndryshe. Sigurisht, ndjesia është e pabesueshme, e mrekullueshme. Nuk mund ta përshkruaj, mbresëlënëse”, shtoi Pablo Carrasco.
I gjithë eklipsi zgjati dy orë në total. Vëzhguesit u pajisën me syze me filtra të veçanta, duke respektuar paralajmërimet e ekspertëve për të mos vëzhguar fenomenin në mënyrë direkte pa mbrojtje./a2cnn