Kosovës i takojnë apo do të detyrohemi për vendime sui generis!
Kosova, po, shumë njohës e kanë rreshtuar krah çështjeve sui generis. Edhe ne jemi, dhe po kontribuojmë të jemi të tillë, zoti nuk gënjehet. Por, kohë pas kohe mbase na takojnë apo do të detyrohemi për vendime sui generis.
Po u nisem nga disa premisa të cilat e cilësojnë Kosovën nga aspekte të ndryshme, si historiografisë, gjeografisë, etnologjisë apo diplomacisë, Kosova për situatën në të cilën gjendet, është më shumë se sui generis.
Cila është situata në të cilën gjendemi vërtetë?
Krerët më të lartë të Luftës tonë çlirimtare, aleatët më besnik të NATO-s dhe BE-së, nuk janë të lirë, brenda shtetit për të cilën u angazhuan, në detyrat institucionale as pranë familjeve të veta. Kjo e fyen ndërgjegjen e përvojës historike. Kjo i bie sikur të gjykohej Skënderbeu pse nuk ju ofroi hallve ushtarëve perandorak, Xhorxh Uashingtoni të paditej pse luftoi kundër britanikëve, francezëve, spanjollëve e holandezëve, De Goli dhe Fronti i Rezistencës sikur ka përdorur forcën joproporcionale ndaj nazistëve. Situatë paradoksale që hyn në sferën sui generis të drejtësisë kundruall historisë. Dihet, historia është në anën e çlirimtarëve.
Është situatë sui generis puna e vlerësimit të ndryshëm të dhjetëra termave të njëjtë juridik apo demokratik si sundimi i ligjit, korrupsioni, krimi i organizuar, efikasitet i shtetit në zbatimin e ligjit, liria e mediave apo të drejtat e minoriteteve.
Çështja e zhvillimit ekonomik dhe makroprojekteve të vendit tonë, të trajtuar nga mekanizmat relevant global si BB dhe FMN, BE-ja dhe Sfidat e Mijëvjeçarit, leva që drejtojnë shtetin tonë, janë sui generis.
Çështja e mos ndërmarrjes së hapave gjegjës rreth ndëshkimit të krimeve të komunizmit si dhe ligjit të lustracionit të personave në vendet me përgjegjësi institucionale, diplomaci apo përgjegjësi shoqërore.
Çështja e hapjes së dosjeve nëpërmjet forcës së institucioneve demokratike të shteteve përkrahëse tonat të cilat e morën përsipër fatin e Kosovës drejt lirisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike.
Lajmi nga ambasadori gjerman se Kosova nuk do të ketë viza as këtë vit, është kulmi i vlerësimit të situatës aktuale. Dihet se Amerika latine dhe një grumbull shtetesh, janë larg mekanizmave të sundimit të ligjit që disponon Republika e Kosovës, madje, ato mekanizma i mungojnë shteteve të cilat tashmë gëzojnë liberalizim dhe vlerësim si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Rumania e Bullgaria, Serbia, Bosnja e Hercegovina e ndonjë tjetër, madje, janë shtete pa pastrim nga krimi e mendësia totalitare komuniste dhe krimet e luftërave të fundshekullit.
Bashkimi Evropian, aktualisht e mban Kosovën si leckë të lagur për hekurosjen e çështjeve të veta globale, me njërin sy të hapur drejt trapezit lindor. Sepse, Kosova as ka fuqi të prodhoj krim të organizuar krahasuar me shtetin më të vogël të BE-së, as ka fuqi ekonomike të bëj fshehje tatimesh apo pastrim parash sa një bankë mesatare e shtetit më të vogël të BE-së, as ka dukuri negative sa ka në vendet nga vijnë përcaktorët demokratik për vendin tonë. Për shembull numri i vrasjeve, numri i vetëvrasjeve, numri i dhunës në familje apo të dhunimit, prodhimi i narkotikëve, raste të varësisë dhe vdekjes nga narkotikët, ikja nga tatimi dhe shpëlarja e parasë e deri te klientelizmi, jakat e bardha, monopolet e ndryshme.
Ne, shtetasit e Kosovës, institucionet tona, detyrimisht pas goditjeve të pandershme dhe të pandërprera nga trendi global i goditjes së më të dobëtit të dalë nga përvoja e shtratit evropian, të përfaqësuara nga shtetet që na frenojnë të drejtën themelore- lëvizjen e lirë. Dihet se në mesin e tyre ka shtete që prodhojnë qindra tonë drogë dhe njihen për pastrimin e mijëra miliardë eurove në vit. Andaj, një sistem vetëmbrojtjeje, na shtyn të mendojmë alternativat e të ardhmes tonë. Njëra nga to do të ishte aprovimi i ligjit për Referendum dhe lehtësia e kërcimit cilësor për rendin tonë republikan.
BE-ja aktualisht për 20 vjet na detyron të ndjehemi aq fajtor për përkushtimin tonë për liri, sa të ndjehemi fajtor dhe paguajmë fatura të pandalshme mbase ndonjëra edhe neveritëse, nga trajtimi pa respekt ndaj qytetarëve, shtetit dhe institucioneve tona.
Nuk do të ishte aspak e qëlluar që ne, nëpërmjet referendumit të bëheshim shteti i parë në rajon për çështje të cilat do të grumbullonin edhe kapital të huaj pa origjinë, mijëra vizitorë për veprimtaritë e caktuara e mbase edhe parajsa për veprimtari të cilat Evropa i disponon por i ka futur nën “kontroll ligjor”.
Kërcimet cilësore për shtetin tonë, fundja do të vinin si nusprodukt nga politika evropiane ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Evropianët, për fat të keq, kanë harruar shpejtë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ishte autostradë e samohodkave përplot fener të kuq, si anë e kundërt me Sibirin lindor.
Evropianëve për fat të keq, nuk ju bëhet vonë, për ndikimet e mëdha e të papërballueshme nga superfuqitë tjera globale, ndaj një populli e kombi të vogël.
Kosova, mbase edhe kombi shqiptar, nuk mund të jetë edhe në shekullin e XXI-të, monedhë e kusuritjeve të pakufishme as çok bilardoje kundrejt disa shteteve e kombeve gjysmë të dështuara që përkohësisht i kanë kufijtë e garantuar, por me mbamendje prapavajtëse. Këtë mungesë ndjeshmërie ndaj nesh, na e ka thënë heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta dhe Shenjtorja Nëna Terezë!
Kosova, po, shumë njohës e kanë rreshtuar krah çështjeve sui generis. Edhe ne jemi, dhe po kontribuojmë të jemi të tillë, zoti nuk gënjehet. Por, kohë pas kohe mbase na takojnë apo do të detyrohemi për vendime sui generis.