LAJMI I FUNDIT: Drita interesohet për Liridon Latifin
Kampionia në fuqi e Kosovës, FC Drita, ka nisur "gjahun" në kërkim të futbollistëve cilësor për afatin kalimtar të dimrit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ardian Nuhiu, së fundmi ka shfaqur interesim për futbollistin e mirënjohur kosovar, Liridon Latifi.
Lajmi konfirmohet ekskluzivisht nga burime të sigurta të "Zeri.info", por deri më tash nuk ka diçka konkrete pasi që Latifi momentalisht është pjesë e skuadrës hungareze Puskas Akademia që garon në elitën e futbollit hungarez.
26-vjeçari i cili dallohet për teknikën dhe shpejtësinë e tij, është zhvilluar si futbollist në Kosovë derisa karrierën e ka nisur te Flamurtari i Prishtinës.
Me klubin më të madh kosovar, FC Prishtinën i ka fituar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës sikurse me Skënderbeun e Korçës në Shqipëri, ekip me të cilin ka marrë pjesë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Latifi gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me Sheriff Tiraspolin e Moldavisë.
Sulmuesi kosovar i ka regjistruar edhe pesë paraqitje me Kombëtaren A të Shqipërisë Karrierë ka bërë edhe me grupmoshën U-21 dhe U-19. /Zeri.info