Votohet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët mund të tërheqin 10 për qind nga Trusti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sapo kanë votuar Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Deputetë që kanë votuar pro Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike janë 72, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji u votua nga deputetët e LDK-së, të PDK-së dhe të Nisma – AKR - 6+.

Në seancën e jashtëzakonshme në rend dite pati vetëm një pikë:

“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-016 për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19”, deputetët i dhanë vizë tërheqjes së 10 për qind nga Trusti, raporton “Zeri.info”.

Ata që nuk dhanë votën për këtë projektligj janë deputetët e LVV-së, të cilët në fillim të seancës u deklaruan kundër votimit të këtij projektligji me arsyetimin se nuk është pro interesave të qytetarëve, por në favor të grupeve të interesit.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike u votua nga deputetët e PDK-së vetëm pasi u përfshinë edhe katër amendamentet e propozuara nga kjo parti.

Amendamentet e PDK-së janë: Pakoja për qytetarët, punëtorët dhe bizneset e prekura nga pandemia të jetë mbi 400 milionë euro, pagesa për punëtorët që kanë humbur vendet e punës të jetë 300 euro për muaj, heqja e TVSH-së për lëndën e parë për ta mbështetur sektorin e prodhimit, si dhe të bëhet rimbursimi nga shteti i mjeteve prej 10% nga Trusti për qytetarët që i kanë deri 10 mijë euro kursime.

Ky projektligj u miratua në lexim të parë më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, me 64 vota pro.

Ndërkohë që në seancë është votuar Rezoluta për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, me 94 vota gjithsej pro. /Zëri