Pas Zyrës së Kryeministrit, Ministria për Kthim shpenzoi më së shumti karburante më 2019

Shfrytëzimi i automjeteve zyrtare prej punonjësve të institucioneve publike për kryerjen e detyrave zyrtare, buxhetit të Kosovës i kushton miliona euro.

Nga janari i vitit 2008, rregullat dhe procedurat për përdorimin ekonomik dhe efikas të automjeteve zyrtare të Qeverisë së Kosovës nga punonjësit e institucioneve publike përcaktohen nga Udhëzimi Administrativ nr.03/2008.

Për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtij udhëzimi, u krijua edhe Njësia për Monitorimin e Përdorimit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Kjo njësi ka për qëllim që të mbajë një regjistër mbi përdorimin e veturave zyrtare nga të gjitha institucionet publike, të mbajë shënime për shpenzimet e karburanteve, riparimeve dhe kilometrave të kaluara për secilin automjet.

Sipas Raportit Financiar 2019 të Ministrisë së Financave, sipas Institutit GAP, gjatë vitit 2019 nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 8.5 milionë euro për karburante për vetura për të gjitha institucionet publike. Krahasuar me vitin 2018, këto shpenzime kanë rënë për 270 mijë euro (-3%) në vitin 2019. Kjo nënkategori përfshin 3% të shpenzimeve të bëra nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Nëse e marrim një mesatare prej 1.07 eurosh për litër të karburanteve, i bie që stafi politik dhe publik i qeverisë i kanë shpenzuar rreth 8 milionë litra karburante.

Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të personalizuara të shpenzimeve për karburant për vetura për vitin 2019 nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe të gjitha ministritë. Kërkesës sonë për karburante i janë përgjigjur ZKM dhe 18 ministri. Ndërsa tri ministri të tjera nuk kanë ofruar përgjigje, që janë: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit duke mos e respektuar Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

“Nga ministritë që na janë përgjigjur, në formë të të dhënave vjetore të individualizuara përgjigje kanë ofruar Zyra e Kryeministrit dhe 14 ministri. ZKM dhe katër ministri (Ministria e Administrimit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim) kanë ofruar shpenzime të karburanteve në litër që pastaj më një çmim mesatar nga 0.9 deri në 1.13 euro, varësisht cilit muaj i kanë takuar shpenzimet, i kemi konvertuar në euro. Ndërsa pesë ministritë tjera: Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shpenzimet i kanë identifikuar me targa të veturave. Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë kanë ofruar të dhënat për kabinet për shpenzime totale për muaj, kurse, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ofruar vetëm shpenzimet totale të ministrisë gjatë vitit”, ka thënë Instituti GAP.

Nga këto të dhëna, del se Zyra e Kryeministrit, që atë kohë drejtohej nga Ramush Haradinaj, është e para për nga shpenzimet në karburante, gjithsej 78,294 euro, e pasuar nga Ministria për Kthim dhe Komunitete e drejtuar atëherë nga Dalibor Jevtiq, me 30,828 euro shpenzime në karburante.

"Krahasuar me të dhënat e karburanteve të vitit 2018, gjatë vitit 2019 vetëm tri ministri (Ministria për Komunitet dhe Kthim, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave) kanë ulur shpenzimet për këtë kategori. Ndërsa ministritë që gjatë vitit 2019 për karburante të veturave kanë shpenzuar më shumë krahasuar me vitin 2018 janë: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit", ka thënë GAP-i.

Kjo është lista e institucioneve që shpenzuan më së shumti në karburante: