Shkruan Blerim Shala: Njeriu dhe Bota të rrëzuar për Toke
Nuk ka, sa je i sëmurë, as dje dhe as nesër, ti je vazhdueshëm në një të sotme që nuk ka të sosur derisa të mos ia dalësh matanë, në atë ‘bregun’ që ka domethënien e shpëtimit. Është e njëjta ditë dhe e njëjta natë, që ta përcakton fatin tënd.
Ky virus të rrëzon për Toke. Në kuptimin më të vrazhdë të mundshëm.
Ky virus pastaj mund të të vret dhe të shti në Dhe.
Ky virus të lidhë për shtrati. Në venat e duarve të tua pastaj lidhen lloj-lloj infuzionesh, me të gjitha ilaçet e mundshme të cilat do të duhej ta ri-forcojnë lidhjen në mes teje, si një i sëmurë dhe jetës së mëtejme.
Thuhet që çdo sëmundje është personale. Ama me gjasë, nuk ka sëmundje më personale se Covid-19.
Nuk gjinden dot dy njerëz me të njëjtat vlera shëndetësore, të cilët e përjetojnë në të njëjtën mënyrë këtë virus.
Njeri mund të vdes, tjetri mund të shërohet në shtëpi, duke pirë çaj dhe duke shikuar TV.
Shumëçka tani dihet për këtë virus. Por ende nuk ka dije të bollshme, të duhur që me një siguri të madhe të luftohet ai, që njerëzit gjithsesi të shpëtojnë prej tij.
E gjitha çfarë ka ndodhur me Covid-19, është një tjetër përplasje e madhe në mes të Njeriut dhe Natyrës, në mes të racionales dhe irracionales, në mes të dijes dhe injorancës, në mes rendit dhe rrëmujës.
Tashmë e parë, do të thonë shumë veta.
Ndërsa jemi në vitin 2020.
Vitet dhe koha, i gjithë ky përparim i paparë teknologjik dhe shkencor i njerëzimit, nuk i bëri fare hesap ky virus.
Të shastisur nga mësymja e tij në të katër anët e Botës, shtetet e sotme zgjodhën një herë modelin e Mesjetës evropiane, kur mbyllja e plotë (apo, ‘Lockdown’ si u definua që nga pranvera e këtij viti), e qyteteve, si dhe lutja për Zotin, ishin mënyrat e vetme të përballjes me murtajën. Pastaj, kur ekonomia mori teposhtëzen e madhe, ndodhi një hapje e kufizuar me qëllim të shmangies të një kolapsi financiar. Por në vjeshtë, po ndodhë një kombinim i këtyre dy modeleve, ku gjithnjë e më shumë po anohet sërish kah mbyllja e plotë.
Ndërsa të gjithë shpresën e vetme e kanë vaksinën e cila ka të ngjarë që ta zbrapsë një herë, dhe pastaj, ta margjinalizojë fare këtë virus.
Pastaj, do të mund t’i ri-ktheheshim një Normaliteti. Apo, ta bëjmë një Normalitet të ri.
Sidoqoftë, nëse vaksina do të jetë e suksesshme, ky të ishte ky një tjetër ngadhnjim i dijës superiore shkencore të Njeriut ndaj një fuqie gjigante irracionale të Natyrës, e cila kësaj here na mbërriti në formë të një virusi.
Natyrisht, deri në dyluftimin e radhës.
Kush e di edhe si do të kundër-përgjigjet Natyra ndaj të gjitha të këqijave që ia bëjmë asaj.
Nuk e kemi kuptuar ende që duhet krijuar një raport të bashkë-jetesës në mes të Njeriut dhe Natyrës, e jo të një pushtimi të pamëshirshëm të saj.
Natyra nuk bërtet, nuk demonstron, nuk proteston. Nuk ka zë. Nuk mund ta bëjë një opozitë.
Por në fund, siç ndodhi edhe me këtë virus, ajo të godet, keq, shumë keq, deri edhe me vdekje që matet me miliona veta në mbarë Rruzullin Tokësor.
Sidoqoftë, kur si një i sëmurë shkon dhe shtrihesh në spital, kudo, në Prishtinë, Berlin apo New York, e ke një dollap personal ku i heq ato rrobet e zakonshme, me të cilat e ke bërë një ditë jete të rëndomtë, dhe i palon në këtë dollap.
Nuk e di, në atë ditën e parë të qëndrimit tënd në spital, nuk e ke fare idenë për këtë punë, që së bashku me këto rroba, është mirë që në dollap t’i palosh gjithë dijen dhe përvojën që ke, të gjitha mendimet dhe ndjenjat që ke, gjithë jetën, në realitet, që e ke pasë deri atë ditë.
Thjeshtë, nuk të duhen gjë. Ato janë vetëm barrë që mund madje ta vështirësojnë shërimin duke ta dëmtuar ndjeshëm një ‘imunitet mental a shpirtëror’, i cili të duhet shumë në këto rrethana.
Sepse mendja e jote nuk mundet assesi të pajtohet me faktin që kështu, nga një lugë të vogël të virusit (aq është mesatarisht sasia me të cilët infektohet Njeriu nga Covid-19), ti je sëmurë aq keq, dhe për më shumë, për një kohë fare të shkurtër, që matet me një apo dy javë, ti mund të shkosh a të largohesh (një herë e përgjithmonë), në një vdekje e cila madje, pamundëson që më të afërmit e tu ta shprehin respektin te varrezat, dhe të mbajnë pamje për ty.
Të thuash, është një lloj i fyerjes së vdekjes dhe e poshtërimit të jetës. Njëkohësisht.
Prandaj, nuk të duhet gjë mendimi kur je i shtrirë në spital.
Pastaj, nuk të duhet gjë as koha dhe as hapësira, dy dimensionet themelore të qeniesimit njerëzor.
Hapësira është fare e reduktuar. Një shtrat spitali, dy-tre metra katrorë, është e gjithë hapësira e jote. Tej dritareve e sheh qiellin, dëgjon zëra njerëzish që sillen andejpari, apo edhe zhurmën e makinave që kalojnë rrugëve të spitalit. Por tash, ajo është një Tjetër-Botë për ty. Andej është një Jetë ndryshe, këtu ti balanson në mes të sëmundjes dhe shërimit, që kanë përfundime skajshmërisht të ndryshme për ty.
Koha, pastaj, merr trajtë krejtësisht tjetërfare për ty.
Nuk ka, sa je i sëmurë, as dje dhe as nesër, as javë dhe as muaj, ti je vazhdueshëm në një të sotme që nuk ka të sosur derisa të mos ia dalësh matanë, në atë ‘bregun’ që ka domethënien e shpëtimit.
Është e njëjta ditë dhe e njëjta natë, që ta përcakton fatin tënd.
E njëjta ditë dhe e njëjta natë. Që nuk matet dot me sekonda, minuta dhe me orë, por me temperaturën e organizmit, me ethet që të tmerrojnë, dhe dhimbjen e padurueshme të kokës, me vlerat e saturimit (nivelit të oksigjenit në gjak), me frymëmarrjen tënde, e cila në rrethana të rëndomta është instiktive, e tani, ka një vlerë që hapë rrugë kah më e mira, apo kah më e keqja.
Në këtë ditë dhe në këtë natë që zgjatë sa një shekull pra, je fare i zhveshur nga të gjitha tiparet e tua njerëzore. Ti lufton për mbijetesë.
Ti, mjekët, teknikët mjekësorë, motrat medicinale, të gjithë e bëjnë atë komunitetin e atyre që luftojnë për jetën tënde, në një klinikë, në një spital.
Kështu është edhe në Prishtinë.
Ata bëjnë të pamundurën që të shpëtosh nga një vdekje e çuditshme, të dalësh nga kjo ditë dhe kjo natë që synon të ngujojë në vete përgjithmonë, ta braktisësh shtratit dhe spitalin, dhe të kthehesh në një jetë kur mundesh lirisht të marrësh frymë, të ecësh, të mendosh, të shkruash.
Askush në këtë Botë nuk ka mundur ta imagjinojë, para një viti apo pak më shumë, që kështu do të jetë vitit 2020.
Mos rraftë me u harru.
(Në shenjë respekti dhe falënderimi të madh për Profesor Salih Ahmetin, Doktoreshën Lindita Ajazaj Berishën, dhe të gjithë mjekët, personelin teknik dhe motrat medicinale të Klinikës Infektive në Prishtinë).