Hoti nënshkroi deklaratën kundër ngacmimit seksual në Administratën Publike

Kryeministri Avdullah Hoti ka nënshkruar deklaratën kundër ngacmimit seksual në administratën publike të Kosovës.

Me këtë rast ai ka theksuar se, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zbatimin e politikave aktive në fushën e të drejtave të njeriut, mbrojtjen nga diskriminimi dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës.

‘’Bazuar në parimin e mbrojtjes nga diskriminimi dhe me qëllim të zhvillimit të një ambienti të punës të sigurt, të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm në institucionet e Republikës së Kosovës, sot miratojmë Politikën kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike të Republikës së Kosovës’’, ka thënë Hoti.

Hoti ka nënvizuar se me këtë deklaratë mbrohet barazia në mes të gjinive si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovës, përmes ndalimit të çdo veprimi apo sjelljeje që çojnë në cenim të dinjitetit personal të secilit të punësuar në organet e administratës publike.

Ai ka kërkuar nga organet e administratës publike në Republikën e Kosovës që të promovojnë dhe shpërndajnë këtë politikë si dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e saj./Zëri