Mbi 300 minatorë në nëntokë, jep dorëheqje u.d. i drejtorit të “Trepçës” Hysen Vrajolli

Numri i minatorëve kosovarë që po ngujohen nën tokë po vazhdon të rritet në shenjë proteste për mosekzekutimin e pagave.

Duke parë gjendjen aktuale dhe grevat që kanë nisur nga minatorët, pas një mbledhjeje të Bordit të “Trepçës”, e mbajtur sot, ka dhënë dorëheqje ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Hysen Vrajolli.

“Të nderuar minatorë, kryeshefi ekzekutiv Hysen Vrajolli ka dhënë dorëheqjen nga pozita u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ‘Trepçës’ SHA”, njofton Sindikata e re e “Trepçës”.

Kjo Sindikatë u bën thirrje minatorëve të ndërpresin grevën, pasi i siguron se nesër në mëngjes do t’u dalin pagat.

“Mjetet që i ka ndarë Qeveria e Kosovës dalin sot ose nesër në mëngjes në xhirollogarinë e ‘Trepçës’ SHA. (informatat janë të sakta). Ne si Sindikatë e re ju ftojmë që të ndërpritet greva dhe të fillojmë me punën”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Sabri Ismajli, nga Sindikata e “Trepçës”, ka konfirmuar për “Reporteri.net” se numri i minatorëve që janë nëntokë është mbi 300 persona.

“Të gjitha ndërrimet kanë hyrë në grevë, numri i përgjithshëm është mbi 300”, ka thënë ai.

Ismajli thotë se për të gjitha këto parregullsi që po ndodhin duhet një herë e përgjithmonë të thotë stop Ministria e Ekonomisë.