Arbnor Morina i kundërpërgjigjet Rafet Prekazit për deklaratën ndaj Almir Kryeziut: E dimë se çfarë kemi punuar në klub

Almir Kryeziu falë paraqitjeve të mira në Superligën e Kosovës në futboll me Arbërinë e Dobrajës, së fundmi mori ftesë edhe nga Përfaqësuesja U21 e Kosovës.

21-vjeçari e realizoi edhe ëndrrën e tij, duke debutuar me "Dardanët" e rinjë në ndeshjen e djeshme kundër Shqipërisë U21, shkruan "Zeri.info".

Në humbjen 0:1 nga Shqipëria U21, Kryeziu u paraqit në fushë nga minuta e 69-të.

Ndonëse kishte vetëm 20 minuta në dispozicion, ai arriti ta shfaqë potencialin e tij të plotë dhe mori vëmendjen e të gjithëve.

Në shumë raste, Kryeziu ishte i pandalshëm nga mbrojtja e Shqipërisë U21, por në fund të fundit, Kosova U21 pësoi humbje në "Fadil Vokrri".

Dy videot e mëposhtme tregojnë se futbollisti i Arbërisë nga Dobraja ishte thjesht fantastik dhe krijoi shumë telashe te kundërshtari.

Përkundër kësaj, përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi e quajti Kryeziun të papërvojë.

Ai tha se Kryeziu i kishte dy-tri aksione të mira, por që "pa përvoja e tij" e bëri të veten.

"Almir Kryeziu i Arbërisë i kishte dy-tri aksione të mira, por pa përvoja e bëri të veten. Ai pati probleme edhe me frymarrje për shkak të mos përgatitjes", deklaroi Prekazi pas ndeshjes së djeshme.

"Zeri.info" e ka kontaktuar edhe trajnerin e Arbërisë, Arbnor Morina, i cili e vlerëson lart futbollistin e talentuar kosovar.

Sa i përket përgatitjeve fizike, Morina thotë se e di se çfarë është punuar në klub.

"Nuk kam asnjë koment. E dimë se çfarë kemi punuar. Me rëndësi është që Almiri ka luajtur mirë dhe suksesi është i tij dhe i klubit", ka deklaruar Arbnor Morina.

Ai tregon se përveç Kryeziut, Arbëria ka edhe futbollistë tjerë që mund t'i shërbejnë Përfaqësueses.

"Jo vetëm ai, por kemi edhe futbollistë tjerë që munden të kontribuojnë te Përfaqësuesja në disa pozita të caktuara. Nuk dua t'i përmend me emra", tha të shtunën për "Zeri.info" Arbnor Morina. /Zeri.info