Fisnik Papuqi tregon për organizimin fantastik tek Besa, ja risitë që do i'u lënë pa mend

Futbollisti më me përvojë i Besës së Pejës, Fisnik Papuqi është rrëfyer rreth risive në klub gjatë një bisede me Gazetën Olle.

Papuqi në bashkëbisedim tregon rreth organizimit të klubit, mundësisë së artë për grupmoshat e reja teksa ka fjalë shumë të mira për Presidentin dhe shtabin teknik.

“Prej përfundimit të luftës e tutje Besa asnjëher nuk ka qenë më e organizuar, madje as në kohën e artë të klubit kur kemi fituar shumë tituj dhe kupa(2003-2007), për momentin mendoj që jemi një nga klubet më të organizuar në Superligë me një profesionalizëm të lartë brenda ekipit. Gjendja në klub është fantastike me GPS e me mjete të tjera na matet aktiviteti në fitness, teksa edhe paraqitjet tona në ndeshje monitorohen nga programet kompjuterike të cilat nxjerrin statistikat dhe performancat e sakta” – tha fillimisht Papuqi.

“Gjeneratat e reja e kanë mundësinë më të mirë tek Besa, ne po luajmë çdo takim me 5 ose 6 lojtarë të datëlindjes 2003 dhe 2004, këtë punë nuk e ka bërë asnjë klub tjetër në Kosovë”

“Sa i përket këtij sezoni, ne jemi duke punuar shumë çdo javë, çdo takim po paraqitemi më mirë se herën e kaluar dhe jemi duke u rritur si skuadër, i gjithë ky profesionalizëm tek Besa është bërë falë kryetarit z. Yll Kullashit i cili nuk po kursen asgjë për klubin tonë dhe rininë e këtij vendi duke bërë një punë që në të ardhmen jo vetëm Besa, por e gjithë Kosova do t’ia sheh hajrin”

“Kemi një shtab teknik shumë profesional në krye me Jerome Klein dhe Tahr Ben-Romdhane, teksa poashtu punë të mirë kryejnë edhe ndihmës-trajneri, Leotrim Krasniqi dhe trajneri i portierëve, Valmir Bytyqi”- përfundoi ai.

Besa e Pejës për momentin ndodhet në pozitën e fundit në tabelë, mirëpo paraqitjet e skuadrës kanë ditur të jenë mjaftë kualitative në disa raste.