Gjilani kërkon hakmarrje ndaj Feronikelit, Frashëri: Pretendent për titull e kemi vetëm veten

Gjilani nuk ka pasur fillim të mirë këtë edicion në Superligën e Kosovës, derisa në ndeshjen hapëse ishte "demoluar" nga Feronikeli në Drenas me rezultat të thellë, 4:0.

Pas përfundimit të fazës së parë të këtij edicioni, skuadra nga Anamorava e nis fazën e dytë në fundjavë pikërisht me një përballje interesante ndaj Feronikelit në stadiumin e qytetit në Gjilan, shkruan "Zeri.info".

Gjilani patjetër se do të kërkojë "hakmarrje" ndaj skuadrës që sot drejtohet nga Klodian Duro, derisa forma e gjilanasve nuk ka qenë e dobët.

Në pesë ndeshjet e fundit, Gjilani nuk njeh për humbje, duke regjistruar tri fitore dhe dy barazime.

Mbrojtësi i Gjilanit, Erlis Frashëri në një bisedë me "Zeri.info" fillimisht ka folur për paraqitjet e skuadrës në këtë fillim të edicionit.

Ai ka deklaruar se shpreson që skuadra e tij të vazhdojë edhe më tutje me rezultate pozitive pas dy fitoreve radhazi.

"Të them të drejtën, nuk e nisëm edhe aq mirë fazën e parë të kampionatit. Tani e mbyllëm me fitore ndaj Besës dhe shpresoj shumë që të mos ndalemi më sepse i kemi të gjitha cilësitë, pavarësisht mungesave", ka thënë fillimisht mbrojtësi nga Shqipëria.

Sa i përket sfidës me Feronikelin në fundjavë, Frashëri beson se skuadra e tij i ka të gjitha kualitetet për të fituar ndaj skuadrës drenicase.

"Po, është e vërtetë se e nisëm me humbje ndaj Feronikelit dhe shpresoj që këtë fundjavë të marrim rezultat pozitiv. Ne duhet të bëjmë më të mirën për të fituar këtë lojë. I kemi të gjitha mundësitë për të fituar. Feronikeli ka skuadër të mirë, por ne akoma edhe më të mirë. Do të futemi në fushë vetëm për fitore", tregon më tej 32-vjeçari.

Për fund, mbrojtësi i krahut të djathtë thotë se Gjilani ka kapacitet për titullin e kampionit dhe se mendon që pretendent për këtë synim e ka vetëm veten.

"Gjilani ka treguar kapacitet edhe në edicionin e kaluar. Shpresoj se këtë vit të mos bëjmë gabimet që i kemi bërë vitin e kaluar. Pretendent për titull e shoh vetëm Gjilanin", përfundoi të enjten për "Zeri.info" Erlis Frashëri.

Ndryshe, pas nëntë javësh, Gjilani zë vendin e tretë në tabelë me 16 pikë të tubuara, gjashtë më pak se lideri, Ballkani. /Zeri.info