Kush e shpiku dhe cilat janë arsyet përse ndryshon ora
Që prej vitit 1981, ndryshimi i orës të dielën e fundit të muajit tetor dhe mars është një ritual i përvitshëm për Europën. Qëllimi kryesor është sigurimi i orëve shtesë me dritë për mbrëmjet e verës dhe mëngjeset e dimrit. Por kritikët thonë se ndryshimi i orës sjell rritje të aksidenteve rrugore dhe probleme me gjumin, të cilat duhen të merren parasysh.
Në fakt, ndryshimi i orës nuk është një risi kaq e vonë. Ideja i përket politikanit dhe filozofit të njohur amerikan, Benjamin Franklin, që veç të tjerash ishte edhe një fizikant i rëndësishëm e shpikës i rrufepritësit.
Në shekullin e XVIII , Franklin ishte ambasador i SHBA në Paris. Në 1784 shkruajti një artikull me titull “Një projekt ekonomik për kufizimin e kostos së ndriçimit” dhe e ia dërgoi gazetës “Journal de Paris”. Sipas Franklin, parisienët mund të kufizonin përdorimin e qirinjve dhe të kishin një kursim relativ, nëse ngriheshin më herët nga shtrati dhe fillonin ditën duke përfituar nga mëngjesi. Mirëpo kaluan thuajse 120 vjet që ideja e tij të pranohet dhe të formulohet termi “orë verore”.
Ishte një anglez, konstruktori William Willet, që në vitin 1902 qarkulloi një broshurë të titulluar “Drita e humbur e ditës”, ku u bënte thirrje autoriteteve që “t’i zgjojnë qytetarët më herët, duke zhvendosur akrepat e sahateve nëpër qytete”.
Ishte Gjermania, e cila gjatë Luftës së parë Botërore, më 30 prill 1916, vendosi të zbatojë orën verore, duke “fituar” 60 minuta, për arsye ekonomike. Argumenti ishte se kufizohet përdorimi i qymyrit dhe kështu shtohen rezervat për industrinë e luftës, siç deklaronte në atë kohë Ministria e Luftës. Për të njëjtat arsye, pak javë më vonë të njëjtin vendim mori edhe Anglia.
Ndërkaq, as njeri shtet dhe as tjetri, nuk e mbajtën orën verore pas përfundimit të luftës, më 1918. Megjithëse iu rikthyen kësaj mase njëzet e ca vite më vonë. Në shekullin e XIX dhe në dekadat e para të shekullit të XX, ndryshimi i orës nuk ishte një çështje e lehtë.
Akrepat e orëve nuk lëviznin mbrapsht, po të tentoje, thyhej mekanizmi dhe duhej ta shtyje 11 orë për ta çuar te ora verore. Kjo ndodh edhe sot me sahatet e vjetra, në mjaft kisha, bashki dhe godina shtetërore të shekullit të XVIII e më herët, në vende të Europës Qendrore.
Në mars të vitit 2019, ligjvënësit në Parlamentin Europian votuan me shumicë votash në favor të heqjes së ndryshimit të orës duke filluar nga viti 2021. Shumica e vendeve kanë thënë se janë në favor të këtij ndryshimi.
Për shkak të pandemisë, ndryshimi i orës nuk është një nga prioritetet e vitit 2021, megjithatë është e mundur që ora të mos ndryshojë më./express