Policia shqiptare kap turkun e kërkuar nga Gjermania për trafik droge
Policia kufitare shqiptare në Morinë, Kukës, ka arrestuar një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania.
Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin në shtetin gjerman.
“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: I.E, 42 vjeç, banues në Turqi. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani”, ka njoftuar Policia e Shtetit.
Autoritetet Gjyqësore Gjermane, sipas policisë shqiptare, kanë caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Trafik droge”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë./Zëri