Aktakuzë ndaj një personi të dyshuar për tregti të ndaluar dhe shpëlarje të parave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të dyshuarit M.G. për veprën penale “Tregti e ndaluar”, si dhe për “Shpëlarje të parave”.

Ai dyshohet se ka zhvilluar tregti të ndaluar dhe shpëlarje të parave pasi në veturën e tij janë gjetur mbi 65 mijë euro të padeklaruara.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.G., më datën 14.08.2020, është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, pasi në veturën e tij janë gjetur mjete monetare të fshehura në valutën euro, të padeklaruara gjithsej gjashtëdhjetë e pesëmijë e katërqind e pesëdhjetë euro (65,450.00 €), për të cilat mjete i dyshuari nuk i kishte deklaruar e që janë sekuestruar nga Prokuroria Speciale sipas urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special. Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale, ‘Tregti e ndaluar’. Po ashtu i dyshuarit M.G., më 14.08.2020, duke e ditur ose duke pasur arsye të dijë se ishte duke bartur mjete monetare, të fshehura në automjetin e tij, duke i pasur në posedim, ka tentuar të fshehë ose të maskojë natyrën e vërtetë, burimin, vendndodhjen, sistemimin, lëvizjen, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, ose në çfarëdo rrethanash, me qëllim që të shkaktojë shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Shpëlarja e parave’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri