Dhurimi i gjakut gjatë pandemisë
Autor: Jetlira Ademi
Sëmundja COVID-19, që shpërtheu në dhjetor të vitit 2019 në Kinë dhe u përhap në tërë globin, shkaktoi mbylljen e shumë bizneseve, shkollave dhe izolimin e njerëzve nëpër shtëpi. Pavarësisht kësaj, spitalet mbetën të hapura dhe funksionale, me përkushtim edhe më intensiv ndaj pacientëve.
Rrjedhimisht, kjo ka bërë që edhe dhurimi i gjakut të jetë i domosdoshëm për pacientët e ndryshëm, por edhe për ata të prekur me COVID-19.
Individët e diagnostikuar me COVID-19 zakonisht nuk kanë nevojë për transfuzion gjaku, por ata që shërohen nga virusi potencialisht mund të ndihmojnë në trajtimin e atyre që janë aktualisht të infektuar, duke dhuruar plazmë rikuperuese. Sapo një pacient të shërohet nga COVID-19 plazma e tij përmban antitrupa, që mund të largojnë virusin. Një dhurim plazmash rikuperuese zgjat një deri në dy orë dhe ka potencialin për të trajtuar deri në katër pacientë që aktualisht luftojnë me sëmundjen.
Mirëpo, sipas drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurie Zhubi, gjatë periudhës së pandemisë ka pasur edhe raste me COVID-19, të cilat janë trajtuar me transfuzion.
“Të gjitha klinikat furnizohen me gjak dhe përbërës të gjakut, por ato që kërkojnë më tepër janë rastet emergjente, rastet kirurgjikale, rastet hematologjike, onkologjike, gjinekologjike dhe obstetrike dhe rastet me gjakderdhje nga sistemi tretës, por kemi pasur edhe raste të trajtimit të pacientëve me COVID-19”, thotë ajo për “Zërin”.
Për shkak të masave që u ndërmorën nga Qeveria, si izolimi nëpër shtëpi, mbajtja e distancës ose edhe frika nga infektimi, gjatë kohës së pandemisë u ndie nevojë për gjak në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, për shkak të harxhimit të rezervave të grumbulluara deri tani.
Në lidhje me këtë Zhubi thotë se gjatë kësaj periudhe janë përballur me situata të ndryshme, ndër të cilat edhe me mungesë të gjakut, por që falë dhuruesve vullnetarë të gjakut kanë arritur të mbulojnë këtë nevojë:
“Funksionimi i dhurimit të gjakut në kohë pandemie është përballur me situata të ndryshme gjatë kësaj kohe, por me angazhimin maksimal të stafit dhe duke iu falënderuar dhuruesve vullnetarë të gjakut kemi arritur t’i mbulojmë kërkesat për gjak dhe përbërës të gjakut”, tha ajo.
Rezervat e gjakut në qendrat e transfuzionit ndihmojnë pacientët që vuajnë nga sëmundje kërcënuese për jetën, të jetojnë më gjatë e me një cilësi më të mirë. Gjithashtu, ndihmojnë për kryerjen e trajtimeve mjekësore e ndërhyrjeve kirurgjike. Gjaku është jetësor në trajtimin e emergjencave të të gjitha llojeve, si katastrofa natyrore, aksidente, konflikte me armë etj. dhe shpëton jetë në situata të caktuara gjatë kujdesit perinatal.
Sido që të jetë, klinikat që më së shumti kanë nevojë për doza gjaku janë Qendra Emergjente, Klinika Gjinekologjike, si dhe sallat operative.
Në lidhje me këtë Melania Gjoci, menaxhere për marketing dhe informim në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, thotë për “Zërin” se nevoja urgjente për gjak është ndier sidomos në muajin mars dhe prill, për shkak të izolimit nga pandemia. Qendra Gjinekologjike, Onkologjia dhe sallat e operacionit kanë punuar edhe gjatë kësaj periudhe dhe, siç thotë Gjoci, asnjë operacion nuk mund të fillojë pa pasur të paktën dy doza të gjakut.
“Gjatë kohës së pandemisë mungesa e gjakut është vërejtur në tërë botën, për shkak të izolimit nëpër shtëpi, por edhe ne nuk kemi pasur mundësi për të dalë jashtë institucionit për të organizuar aksione për grumbullimin e gjakut. Periudha më e vështirë ka qenë ajo e marsit dhe prillit, pasi Qendra Gjinekologjike, Onkologjia dhe sallat e operacionit kanë punuar dhe të gjitha këto operacione nuk mund të fillojnë pa pasur të paktën dy doza të gjakut”, ka theksuar Gjoci.
Halit Zeneli, nga Prishtina, thotë se është dhurues i rregullt i gjakut, me motivin që të shpëtojë njerëz, por edhe për shëndetin e tij, pasi ndihet më mirë. Ai zakonisht dhuron gjak kur është dita ndërkombëtare, si dhe kur ka organizime tjera për dhurimin e gjakut. Por edhe kur ka nevojë dhe nuk ka rezerva në spitale.
“Unë dhuroj gjak zakonisht dhe motivi im është shpëtimi i njerëzve, por gjithashtu edhe për shëndetin tim, pasi bëhet pastrimi i gjakut, si dhe ndihem më mirë. Zakonisht jap gjak kur është dita ndërkombëtare e dhurimit të gjakut, por edhe kur ka nevojë dhe nuk ka rezerva në spitalet tona”, deklaroi ai.
Gjatë pandemisë Zeneli nuk ka dhuruar gjak për shkak të masave mbrojtëse të ndërmarra nga Qeveria, siç është kufizimi i lëvizjes.
Përveç bamirësisë, dhuruesit e gjakut kanë përfitime të veçanta, si një shqyrtim shëndetësor falas, ku para se të dhurojnë gjak do të kontrollohen për t’u siguruar nëse dhuruesit janë të aftë për procedurën.
Ky kontrollim mund të shfaqë një gjendje që ka nevojë për kujdes mjekësor, siç është presioni i lartë i gjakut ose aritmia e zemrës si fibrilacioni atrial. Përveç kësaj, bëhet edhe shqyrtimi për sëmundjet infektive, për të cilat dhuruesi mund të mos jetë në dijeni.
Po ashtu dhurimi i rregullt i gjakut lidhet me presionin e ulët të gjakut dhe një rrezik më të ulët për sulme në zemër. Nëse hemoglobina është shumë e lartë dhurimi i gjakut ndihmon në uljen e viskozitetit të gjakut, i cili është shoqëruar me formimin e mpiksjes së gjakut, sulmeve të zemrës dhe goditjes në tru.
Gjithashtu njerëzit me një gjendje të quajtur hemokromatozë trashëgimore duhet të heqin rregullisht gjakun për të parandaluar grumbullimin e hekurit. Për fat të mirë, nga ky gjak mund të përfitojnë të tjerët me mungesë hekuri.
Kontrolli shëndetësor do të zbulojë gjithashtu nëse dhuruesi ka një grup të rrallë gjaku. Ky informacion mund të jetë i dobishëm nëse dhuruesi përballet ndonjëherë me operacion ose ndonjë situatë tjetër mjekësore në të cilën mund të kërkohet transfuzion.
Kështu, prania në sipërfaqe e eritrociteve të një substancë e quajtur antigen bën që njerëzit të kenë grupe të ndryshme gjaku.
Mjekësia moderne ende varet nga transfuzionet e gjakut, duke qenë se ai nuk mund të prodhohet artificialisht, dhuruesit vullnetarë janë burimi i vetëm i gjakut për ata në nevojë.
Ndërkaq, sipas Gjocit, ajo që e ka karakterizuar ketë periudhë të nevojës së domosdoshme të gjakut gjatë pandemisë ka qenë edhe hapja e qendrës kryesore të transfuzionit të gjakut deri pas mesnate gjatë muajit të Ramazanit, gjë e cila nuk kishte ndodhur më herët:
“Krahas pandemisë, një faktor tjetër që e ka vështirësuar dhurimin e gjakut ka qenë edhe koha e Ramazanit, ku edhe personat të cilët kanë pasur për të dhuruar gjak nuk mundnin për shkak të lodhjes dhe ne kemi organizuar dhurimin e gjakut vullnetar pas iftarit, nga ora tetë deri në orën 24-00 pas mesnate, organizim ky që nuk ka ndodhur më herët në Qendrën Kryesore të Transfuzionit. Ndërkaq dhuruesve ua kemi lëshuar një vërtetim, që në rast se ndalen nga policia të dokumentojnë se ka qenë urgjencë”, u shpreh ajo.
Ndërsa sa i përket periudhës së fundit, ajo thotë se kanë filluar me dhurimin e zakonshëm të gjakut, pasi është marrë leje nga Ministria e Shëndetësisë.
Bukurije Zhubi thotë se aktualisht ka një gjendje stabile të stokut të gjakut dhe përbërësve të gjakut, por kohëve te fundit thotë se kanë pasur kërkesa të shtuara të pacientëve me grupin e gjakut A pozitiv dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të vazhdojnë me dhurimin e gjakut, në mënyrë që t’u dalin në ndihmë gjithmonë pacientëve, të cilët kanë nevojë për trajtim transfuziv.
“Kemi një gjendje relativisht stabile të stokut të gjakut dhe përbërësve të gjakut, por kohëve të fundit kemi pasur kërkesa të shtuara të pacientëve me grupin e gjakut A pozitiv, prandaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë me dhurimin e gjakut, që ai të jetë aty afër gjithmonë për pacientët që kanë nevojë për trajtim transfuziv”, deklaroi Zhubi.
Ndërsa sa i përket rrezikshmërisë së dhurimit të gjakut gjatë pandemisë, ajo thotë se deri më tani nuk është dokumentuar se COVID-19 mund të kontraktohet përmes dhurimit të gjakut.
“Në çdo cep të botës po vazhdohet me dhurimin e gjakut në kohë pandemie, po ashtu edhe te ne. Nuk është dokumentuar deri tani që COVID-19 mund të kontraktohet përmes dhurimit të gjakut. Dhurimi i gjakut vazhdon të bëhet duke respektuar rekomandimet e OBSH-së konform situatës aktuale”, theksoi Bukurie Zhubi, drejtoreshë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Dy janë sistemet kryesore të grupeve të gjakut:
Sistemi A, B, O dhe sistemi Rhezus. Në sistemin A, B, O dallohen katër grupe: grupi Zero (0), grupi A, grupi B dhe grupi AB:
1. Grup A i gjakut ka vetëm antigenin A;
2. Grup B ka vetëm antigenin B;
3. Grup AB i ka të dyja;
4. Grup 0 nuk ka asnjë.
Ndërkaq, nuk mund t’i dhurohet gjak dikujt në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk mund të merret gjak nga i njëjti grup pa u kontrolluar ai.
Grupi 0 është grup universal dhe mund t’i dhurojë gjak çdokujt.
Grupi A mund t’i dhurojë gjak grupit A dhe AB.
Grupi B mund t’i dhurojë gjak grupit B dhe AB.
Grupi AB mund t’i dhurojë gjak vetëm grupit AB, por mund të marrë gjak nga grupet e tjera.
Çdo vit më 14 qershor në vende të ndryshme të botës shënohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, në shenjë falënderimi ndaj dhuruesve të gjakut, si dhe hapen qendrat për dhurim vullnetar. /Zëri