Fauci thotë se duhet të ketë përkeqësim shumë të madh të situatës për të shkuar në izolim

Ndërsa rastet me COVID-19 vazhdojnë “të fluturojnë” në të gjithë Shtetet e Bashkuara, mjeku kryesor i sëmundjeve infektive tha se respektimi i masave të shëndetit publik është rruga për të dalë nga kriza, që ka penguar ekonominë, ka marrë mijëra jetë dhe ka sëmurë miliona, shkruan CNN.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, thotë se gjërat duhet “të përkeqësohen shumë” në mënyrë që ai të propozojë një izolim kombëtar.

Ekspertët e shëndetit thonë se rritja e parashikuar gjatë stinës së vjeshtës ka ardhur dhe rastet në rritje në të gjithë SHBA-në duket se e vërtetojnë këtë. SHBA-ja ka mesatarisht më shumë se 55.000 raste të reja në ditë dhe 10 shtete raportuan numrin më të lartë të rasteve njëditore të premten. Që nga mëngjesi i së hënës kishte më shumë se 8.5 milionë raste dhe 219.674 vdekje nga koronavirusi në SHBA, sipas të dhënave nga universiteti “Johns Hopkins”, raporton “Zeri.info”.

“Duam t’i përdorim masat e shëndetit publik, jo për të na penguar ta hapim ekonominë, por si një rrugë të sigurt për hapjen e ekonomisë”, tha ai gjatë një interviste.

Fauci tha se publiku i lodhur amerikan duhet të shohë masat e shëndetit publik si një mënyrë për ta mbajtur ekonominë të hapur.

Amerikanët mund të ndihmojnë në vënien e virusit nën kontroll, thonë ekspertët, duke i respektuar udhëzimet e dhëna nga zyrtarët tash e disa muaj: shmangien e ambienteve të mbushura me njerëz, mbajtjen e distancës sociale, mbajtjen e tubimeve të vogla jashtë dhe mbajtjen e maskës. /Zëri