Hoti: Parashikojmë rritje të rasteve me COVID-19, por kemi nxjerrë mësime nga e kaluara
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, foli në “A2” për situatën e pandemisë, duke u shprehur se edhe pse nuk ka pasur një rritje të rasteve të reja, sërish situata po shikohet me kujdes dhe po bëhet përgatitje për periudhën e dimrit.
“Gjatë tetorit kemi pasur një situatë relativisht më të qetë sa i përket koronavirusit, por ne i lexojmë këto shifra me shumë kujdes dhe nuk na lejojnë të mendojmë se e kemi kaluar situatën. Ne përgatitemi për një situatë të mundshme në rritje të infeksionit gjatë vjeshtës dhe dimrit. E kemi kuptuar këtë si një mundësi për t’u përgatitur më mirë për situatat e ardhshme. Relativisht është një situatë e qetë, e menaxhueshme sa u përket shifrave. Ditët e fundit kemi një tendencë të lehtë në rritje. Pak a shumë, ky është edhe një refleksion i rritjes së testimeve”, u shpreh Hoti.
“Nuk jemi skeptikë, por as optimistë për të ardhmen. Ne jemi të matur. Shifrat duhet të lexohen ashtu siç janë. Parashikojmë rritje të rasteve, por nuk mendojmë se do të jetë një situatë e pamenaxhueshme, duke qenë se kemi nxjerrë mësime nga e kaluara”, theksoi Hoti.