Ushtarja amerikane bashkohet me qenin për të cilin u përkujdes sa ishte në Kosovë

Një ushtare u bashkua të mërkurën me një qen me të cilin ra në dashuri derisa ishte me mision në Kosovë.

Ishte një organizatë nga Long Island ajo që u përkujdes që të ndodhë ky ribashkim, raporton CBS2.

Ishte hera e parë që Rreshterja e Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Oregonit, Erin Guthrie, zyrtarisht takoi qenin, për të cilin ajo përkujdesej për muaj të tërë, ndërsa ishte vendosur në Kosovë.

“Nervozohesha që një qen i rrugës po më afrohej, por vetëm nga mënyra se si po më afrohej e kuptova se ai thjesht e donte një mik. Nuk kishte grup me vete, nuk e kishte askënd”, tha Gutherie. “Isha e nderuar që ai erdhi te unë, dhe menjëherë e ndjeva një lidhje me të”, transmeton Zeri.info.

28-vjeçja ishte në mision paqeruajtës për tetë muaj, por takimi me qenin ia solli asaj paqen e të qenit larg shtëpisë.

“Prania e tij me të vërtetë solli shkëlqim në një situatë mjaft të vështirë”, tha ajo.

Me t’u larguar nga Kosova para disa javësh, mendja i rrinte vazhdimisht te qeni, të cilin e kishte emërtuar Meeka.

Guthrie gjeti organizatën “Paws of War”, e cila përmes programit të saj “War Torn Pups” ka mbledhur mbi 6,000 dollarë për ta sjellë Meekan në mënyrë të sigurt në SHBA dhe ta ribashkojë me pronaren e tij.

“Ka shumë pengesa, shumë dokumentacion, e është edhe procesi i karantinës në këtë mes. Por ndjejmë se ia vlejti, dhe me gjithë të këqijat që po ndodhin në botë, kjo është diçka që mund të bëjmë për të mirë”, tha bashkëthemeluesi i “Paws of War”, Robert Misseri.

Qeni e tundte bishtin para se të hidhej në përqafimin e mikes së tij.

“Kisha frikë se mos nuk do të më njihte, por fakti se ai u hodh tek unë në të njëjtën mënyrë, do të thotë se më njeh, dhe kjo është një ndjenjë e mrekullueshme”, tha Guthrie.

Ajo thotë se emrin Meeka ia ka vënë qenit nga fjala në gjuhën shqipe “mik”. /Zëri