Tahir Emra dhe Hysni Krasniqi, fituesit e çmimeve të MKRS-së në fushën e artit pamor
Akademiku Tahir Emra është laureat i çmimit kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” në fushën e artit pamor, ndërsa Hysni Krasniqi është laureat i Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor.
Për këtë ka marrë vendim ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale për ndarjen e këtyre çmimeve.
Juria, e cila ka qenë në përbërje të Zeni Ballazhit, kryetar, Dhurata Ramosajt e Mirsad Lushtakut, anëtarë, ka vlerësuar se çmimi “Muslim Mulliqi” t’i ndahet artistit Tahir Emra, i cili i përket brezit të parë të artë, që doli nga Shkolla e Mesme e Arteve në Pejë dhe i cili është një ndër theme1uesit e parë të institucioneve të artit, duke zhvilluar artin bashkëkohor dhe modern në Kosovë.
Është një personalitet i shquar në fushën e artit pamor dhe njihet me të arriturat profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor.
Ndërkaq për artistin Hysni Krasniqi juria ka vlerësuar se ai gjatë këtyre viteve ka pasur të arritura të dalluara në fushën e artit pamor, sipas krijimtarisë profesionale në mediumin e grafikës, duke kontribuuar denjësisht në formimin e një fytyre bashkëkohore të artit kosovar.
Me këtë rast ministrja Dumoshi tha se laureatët kanë kontribuuar në pasurimin e vlerave artistike pamore në vendin tonë me krijimtarinë e tyre, duke përçuar mesazhe te publiku, të cilat kanë sjellë një frymë të re.
“Është një kënaqësi që t’i kemi këta artistë me një histori të shkëlqyeshme dhe që kanë kontribuuar shumë në artin pamor. Çmimet që ndan MKRS-ja janë vlerësim i punës së artistëve dhe ky çmim mban një emër të madh, emrin Muslim Mulliqi”, tha Dumoshi.
Ajo ka pohuar se puna, që artistët e kanë zhvilluar me dekada, nuk ka qenë shumë e lehtë për vendin tonë, “por përmes pikturës dhe zhanreve tjera në kulturë ju na keni bërë që të bashkëndjejmë”.
Ndërsa laureati Emra tha se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që Ministria po ia ndan këtë çmim, duke e vlerësuar kështu punën e tij. “Ky është një vlerësim i cili tregon se edhe Kosova ka krijues të mirëfilltë, që edhe janë të shkolluar nëpër akademi prestigjioze dhe atë dije që kemi fituar e kemi përcjellë edhe te gjeneratat e reja. Ne jemi popull shumë i talentuar, ndonëse populli i vogël, por dhe këtë nuk e themi ne, e thonë të tjerët”, u shpreh ndër të tjera akademiku Emra.
Hysni Krasniqi tha se arti pamor i Kosovës mund të krahasohet kudo në bashkësinë evropiane, ku artistët nga Kosova, qoftë individualisht ose në grup, kanë realizuar ekspozita anekënd ish-Jugosllavisë dhe Evropës, si në pikturë, skulpturë, grafikë e vizatim.