Kosova - drejt pavarësisë së vërtetë
Kosova është bërë shteti më i ri në Evropë kur e shpalli pavarësinë e vet në vitin 2008. Fatkeqësisht, Kosova vazhdon të vuajë nga problemet në rritje, duke përfshirë mungesën e përvojës në qeverisje, korrupsionin e shfrenuar (veçanërisht në nivele të larta të qeverisë kombëtare), zhvendosjen e burimeve njerëzore dhe natyrore, rivalitetet e hidhura politike dhe ndikimin e padrejtë nga fuqitë e huaja. Edhe pse këto probleme dhe gjërat e tjera e kanë penguar përparimin e Kosovës, vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm nëse i mobilizon burimet e veta njerëzore dhe materiale dhe nëse e vendos një agjendë kombëtare kohezive e cila ka për synim adresimin e problemeve të tij dhe zbardhjen e rrjetit të problemeve që e kanë pllakosur vendin që nga zanafilla e tij.
Si një shtet i ri, ka qenë e pritshme që problemet e përmendura do të ndodhnin. Por, duke e marrë parasysh rininë e tij dhe duke qenë se ekzistenca e tij ende kontestohet, Kosova duhet të përqendrohet në adresimin e të metave të saj kombëtare për t’i dhënë mundësi të qëndrojë në këmbë të veta dhe ta forcojë pavarësinë e saj gjatë zhvillimit dhe prosperitetit.
Çrrënjosja e korrupsionit: Asgjë nuk e dobëson shtetin më shumë sesa korrupsioni i përhapur dhe krimi i organizuar, që e kanë infektuar në masë të madhe qeverinë, por edhe sektorin privat. Kosova renditët ulët – 101 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparencës Ndërkombëtare 2019, që rendit 180 vende nga më pak të korruptuara deri te më të korruptuarat.
Qoftë emërimi i miqve të pakualifikuar në postet qeveritare, përdorimi i rrugëve të shkurtra në afarizëm, shpenzimi pa mend i fondeve të qeverisë, komprometimi i interesave kombëtarë për shkak të përfitimeve personale financiare, lidhja e marrëveshjeve të patërheqëshme me entitete të huaja dhe harxhimi i parave për projekte në favore politike, të gjitha këto në një mënyrë të konsiderueshme e kufizojnë përparimin e Kosovës dhe minojnë qëndrimin e saj në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Çrrënjosja e korrupsionit është imperativ, sidomos nëse një shtet dëshiron t’i tërheq investimet e huaja dhe mbështetjen financiare, që janë kritike për ekonominë e saj të dobësuar.
Fuqizimi i demokracisë: Thelbësore për mirëqenien e saj të ardhshme dhe kualifikim për anëtarësim në BE, Kosova duhet t’i përmbahet parimeve demokratike mbi të cilat u themelua dhe t’i forcojë institucionet e saj demokratike. Për më tepër, meqenëse Kosova kishte qeveri të njëpasnjëshme, të karakterizuara nga koalicione të brishta, jofunksionale dhe të dobëta, tani duhet të përqendrohet në përmirësimin e keqmenaxhimit të saj duke qenë transparente dhe e përgjegjshme dhe t’i shqyrtojë me vëmendje vendimet skandaloze nga udhëheqësit. Gjithashtu duhet të lejojë organe të pavarura mbikëqyrëse dhe zbatimin e shtetit ligjor, pasi që përparimi në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut ka qenë i ngadaltë në vitet e fundit sipas Human Rights Watch.
Përkundër kornizës ligjore gjithëpërfshirëse të Kosovës për sektorin e pavarur të mediave, pak përparim është bërë në zbatimin e kësaj kornize në praktikë. Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2018, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka dokumentuar 13 raste të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve. Media të lira dhe fjala e lirë, kuvendi dhe protesta paqësore duhet të trajtohen si të shenjta pasi ato janë shtyllat mbi të cilat lulëzon ose vdes demokracia. Për më tepër, qeveria duhet t’i sigurojë liritë individuale në të gjitha fushat e jetës, të mbrojë pakicat (komunitetet jo-shumicë) dhe grupet e cenueshme, dhe të mbrojë të drejtat e njeriut dhe barazinë para ligjit.
Mobilizimi i burimeve njerëzore: Kosova është një ndër shtetet më të varfra dhe më të reja në kontinent. Papunësia arrit pothuajse 30 përqind, që në mënyrë disproporcionale i prek të rinjtë. Thesari i Kosovës i njerëzve të rinj – 53 përqind të popullatës janë nën moshën 25 vjeçare- e kanë të ardhmen peng, për shkak të mundësive të kufizuara për t’u zhvilluar dhe përparuar profesionalisht.
Një numër i madh i të rinjve të rritur me diploma universitare, që do të kishin pasur mundësi të bëhen kontributdhënës të rëndësishëm në ndërtimin, zhvillimin dhe prosperitetin e kombit, përfundojnë duke e lëshuar shtetin në kërkim të mundësive më të mira pune. Qeveria duhet të planifikojë dhe të vendosë programe kombëtare për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë që përndryshe do të ishin zhdukur përgjithmonë.
Investim në zhvillim të qëndrueshëm: Zhvillimi i qëndrueshëm, projektet që e përfshijnë kontributin e komuniteteve – qoftë zhvillimi i tokës, pyllëzimi, prodhimi kolektiv dhe blegtoria dhe prodhimi i produkteve të shtëpisë- do të jenë programe të rëndësishme kombëtare. Këto projekte do të prodhojnë mundësi që mjera profesionistë të rinj të punojnë ngushtë me komunitetet e tyre, t’i përdorin aftësitë e tyre dhe ta zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë, si dhe të tregojnë interesim të shtuar për zhvillimin e projekteve të tyre. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e standardeve të jetesës në komunitetet rurale, rritjen e konkurrencës në bujqësi dhe lejon të rinjtë të zhvillojnë aftësi në të mirë të të gjithëve.
Për shembull, 2 milion dollarë do të arrijnë te projektet që thellësisht ndikojnë të komunitetet në menaxhimin e ujit (pirja dhe ujitja) dhe infrastrukturën e shkollës, kooperativat e grave dhe arsimin e të rriturve, sigurinë ushqimore dhe prodhimin e patjetërsuar dhe në ndërmarrjet, bazuar në kapacitetet lokale dhe qëllimet e vetë-përshkruara. Kosova përfaqëson një mundësi reale për zbutjen dhe qëndrueshmërinë në shkallë të gjerë të varfërisë të nxitur nga ndryshimi i fuqizuar nga njerëzit. Sidoqoftë, kjo kërkon investime në forcimin e aftësive të njerëzve në planifikimin e komunitetit lokal të iniciativave për rritjen e jetës dhe menaxhimin e lëvizjeve pjesëmarrëse për zhvillim dhe ndryshime shoqërore.
Reformimi dhe zgjerimi i arsimit: Asnjë shtet nuk mund të shfrytëzojë burimet e tij njerëzore nëse nuk e bën arsimin në të gjitha nivelet prioritet. Investimi në arsim është investimi më i mirë dhe më fitimprurës për afat të gjatë. Në Kosovë, arsimi po mbetet prapa.
Qeveria nuk duhet të kursejë asnjë përpjekje për ta bërë arsimin të disponueshëm. Edhe pse arsimi fillor dhe i mesëm është i detyrueshëm, investimi i qeverisë duhet të përqendrohet në cilësinë, e duke i dhënë përparësi shkencave dhe teknologjisë. Studentët universitarë dhe pasuniversitarë duhet të jenë në gjendje t’i fitojnë diplomat e tyre falas me kusht që ata të angazhohen për të kryer një shërbim komunitar (siç janë zjarrfikja, ndihma gjatë katastrofave natyrore dhe kujdesi për të moshuarit në komunitet) për aq vite sa kanë zgjatur studimet e tyre.
Ristrukturimi i sektorit të energjisë: Kosova duhet ta nisë një program kombëtar që e reformon sektorin e energjisë duke u përqendruar së pari në burimet e ripërtëritshme të energjisë, duke e shfrytëzuar në veçanti energjinë e diellit dhe të erës, e duke i trajtuar njëkohësisht problemet kryesore mjedisore dhe shëndetësore të cilat po ndikojnë keq në vend.
Pasi që Kosova po synon të bëhet shtet anëtar i BE-së dhe dëshiron të bëhet e pavarur në aspektin e energjisë, nuk do duhej t’i ftojë kompanitë turke të energjisë për ta hulumtuar rezervuarin e saj të madh të energjisë, sepse Turqia vetëm do që ta kontrollojë sektorin e energjisë. Në vend të kësaj, Kosova duhet të punojë në partneritet me kompanitë evropiane dhe izraelite të energjisë për ta garantuar një kontroll sovran mbi burimet e saj të energjisë duke e siguruar furnizimin e besueshëm të energjisë.
Parandalimi i ndikimit të panevojshëm nga fuqitë e huaja: Ndërsa Kosova duhet të punojë dhe të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore me vendet e tjera, ajo duhet të mbetet vigjilente ndaj ndikimit të panevojshëm nga fuqitë e huaja, veçanërisht nga Turqia e Erdoganit. Ankara ka agjendat e veta gjeostrategjike, të cilat janë shpesh në kundërshtim me interesat kombëtare të Kosovës.
Turqia e sheh Kosovën si krahinë të Perandorisë se saj të ardhshme neo-Otomane, e investimet e Erdoganit në xhami dhe në projekte të mëdha kombëtare, duke e përfshirë aeroportin e Kosovës dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë, kontrollohen nga kompanitë turke, të cilat janë dizajnuar vetëm për ta mbajtur Kosovën nën ndikim të Turqisë. Po, Kosovës i nevojitën investimet e huaja, por Kosova kurë nuk duhet t’i pranojë investimet nga qeveritë e huaja që e diskreditojnë pavarësinë e saj.
Nga ana tjetër, Rusia e ka shfrytëzuar fuqinë e saj të vetos në KSKB-në kundër njohjes së Kosovës. Qëllimi i Putinit në këtë drejtim është ta izolojë Serbinë nga Evropa dhe ta sjellë atë në orbitën e Moskës: për sa kohë që Serbia nuk e njeh Kosovën, asnjë nga dy shtetet nuk do të jetë i kualifikuar për anëtarësim në BE, pasi që BE-ja e bëri njohjen reciproke një parakusht për integrimin e tyre.
Zgjerimi i sektorit teknologjik: Duke e pasur parasysh zhvillimin e përshpejtuar të teknologjisë digjitale, Kosova ka një mundësi të paparë për të përparuar më tej në këtë fushë, veçanërisht tani që Izraeli e ka njohur Kosovën. Izraeli, duke qenë lider në këtë fushë, mund t’i ndihmojë Kosovës në zhvillimin e industrisë teknologjike, pa kurrfarë obligimesh.
Ka disa kompani fillestare të TI-së në Kosovë që filluan në Innovation Center Kosova (ICK), një kompleks i teknologjisë së lartë misioni i të cilit është të krijojë vende pune dhe mundësi biznesi “në sektorët e IT-së dhe ‘energjisë së gjelbër’ të Kosovës përmes inovacionit, sipërmarrjes dhe investimeve”. Në të vërtetë, pjesërisht për shkak të ICK-së, Kosova gëzon fillimin e lulëzimit të IT-së; ajo mund ta imitojë Izraelin dhe të bëhet qendra e IT-së në Ballkan.
Sigurisht që shumë prej këtyre programeve dhe iniciativave kërkojnë fonde të konsiderueshme. Ndërsa BE-ja, SHBA-ja, Banka Botërore dhe FMN vazhdojnë ta ndihmojnë financiarisht dhe të sigurojnë hua afatgjata, është thelbësore që Kosova t’i shfrytëzojë burimet e veta natyrore, veçanërisht në sektorin e energjisë. Kjo do t’i jepte Kosovës, për një periudhë pesë vjeçare, fonde të nevojshme për të investuar me mençuri dhe për të siguruar mundësi pune për dhjetëra mijëra njerëz, e veçanërisht për të rinjtë.
Mijëra shqiptarë të Kosovës kanë sakrifikuar jetën e tyre për të parë Kosovën që ngrihej nga hiri i luftës. Ata ia lanë në trashëgimi vendin këtij brezi, i cili duhet t’i nderojë sakrificat e tyre dhe mos ta lejojë kurrë më një fuqi të huaj ta pengojë marshimin e tyre drejt një demokracie të vërtetë. Ata duhet të qëndrojnë me kokë lartë dhe të fortë, sepse vetëm nga ajo pozitë e fuqisë dhe të vigjilencës, Kosova do të marshojë me vetëbesim drejt pavarësisë së vërtetë.