Kusari-Lila: Hoti të tregojë se çka e bëri të shtyjë mbledhjen në Shkodër

Vazhdojnë reagimet kundër kryeministrit Avdullah Hoti për shtyrjen e takimit Kosovë - Shqipëri, i cili ishte paraparë të mbahej këtë të premte.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka akuzuar Hotin se nuk ka qëndrueshmëri në bindjet e tij.

Ajo ka thënë se Hoti i ndryshon qëndrimet e veta pa asnjë pendim dhe sipas saj nuk është i sinqertë as para popullit dhe as para Kuvendit.

“Të jesh në krye të vendit në kohë krize, duhet të paktën të kesh empati për problemet që kanë qytetarët e atij vendi dhe të komunikosh hapur me qytetarët për limitet që i ke. Jo të jesh i mpirë nga dehja me pushtetin në njërën anë, ndërsa në anën tjetër të fshihesh prapa arsyetimeve boshe dhe prapa përgjegjësive të institucioneve tjera, e vetë nuk ke as transparencë dhe as llogaridhënie. Avdullah Hoti, tashmë e dëshmoi se nuk ka qëndrueshmëri në bindjet e veta, i ndryshon ato publikisht pa asnjë pendim dhe nuk është fare i sinqertë as para popullit dhe as para Kuvendit”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Kusari-Lila thotë se nuk duhet t’i besohet arsyetimit të një njeriu, i cili deri më tani asnjë qëndrim nuk e ka mbajtur sipas saj as brenda tre muajve të një mandati.

“Si t’i besohet arsyetimit të njeriut që deri më tani asnjë qëndrim nuk e mbajti, as brenda tre muajve të një mandati. Kryeministri, para se të mundohet të fshihet prapa Kuvendit, sikur me dështimin e Qeverisë me pakon e rimëkëmbjes, është mirë të mos e arsyetojë shtyrjen e mbledhjes së dy qeverive me seancën e Kuvendit”, tha ajo.

Deputetja Kusari-Lila ka thënë se Kuvendi mund të vazhdojë agjendën e mbetur edhe pa kryeministrin teksa thotë se shtyrja e takimit ka një arsye tjetër dhe se sipas saj Hoti të tregojë se çka e bëri të shtyjë mbledhjen në Shkodër.

“Jemi mësuar Kuvendi me karriget e Qeverisë bosh, e vazhdojmë agjendën e mbetur edhe pa ta. Ndërsa, ata të vazhdojnë takimin e dy qeverive, përveç nëse nuk është arsyeja e shtyrjes diku tjetër?! E në atë rast, është më mirë të tregojë hapur, çka e bëri të shtyhet mbledhja në Shkodër?”, përfundoi ajo. /Zëri