Infodemia - vaksinë apo imunizim?

Zbulimi i një vaksine shihet si arma kryesore për të mposhtur virusin Korona dhe për të kthyer jetën tonë në normalitet, por paralel me këtë në hapësirën digjitale janë duke u prodhuar e shpërndarë edhe shumë pretendime mashtruese dhe teori të rreme të konspiracionit rreth një vaksine potenciale të këtij virusi.

Deri më tani janë parë postime që përmes injektimit të vaksinës do të futen edhe disa mikroqipa në organizëm nga kompania e Bill Gatesit (Microsoft), duke bërë ndryshime në ADN-në tonë ose të tilla se e gjithë pandemia është një sajim.

Të gjitha këto teori konspirative dalin të jenë të pavërteta, meqenëse nuk janë të bazuara në fakte dhe shpërndahen si flluska në opinion me ndihmën e platformave digjitale, siç mund të jenë rrjetet sociale. Teoritë konspirative kryesisht bazohen në një ngjarje të vërtetë, por arrijnë t’i deformojnë ato përmes ideve të trilluara, që nuk janë të mbështetura në ndonjë referencë. Ideja e Bill Gatesit për vendosjen e listës së vaksinave si tatuazh në trupin e qytetarëve te vendet e pazhvilluara, në të cilat mungon evidenca për dosjen shëndetësore, ose edhe për krijimin e një pasaporte të vaksinave kanë inspiruar shumë krijues të lajmeve të rreme që t’i kthejnë ato në konspiracion.

Mirëpo tema e vaksinës anti-COVID është vetëm njëra në mesin e shumë të tjerave që përdoren si mundësi nga krijuesit e lajmeve të rreme.

Në fillim të muajit gusht mediat si BBC, “Deutsche Welle” dhe “The New York Times” botuan artikuj për hulumtimin, që ndërlidhi dezinformimin rreth koronavirusit me vdekjen e të paktën 800 personave në botë (vlefshmëria e këtij studimi u kontestua më vonë). Vdekjet erdhën kryesisht nga përdorimi i recetave të dyshimta mjekësore për t’u shëruar nga COVID-19, të shpërndara përmes hapësirës digjitale (p.sh. rrjeteve sociale).

Shpërndarja e artikujve me përmbajtje të tilla të dyshimta paraqet anën tjetër të sfidës, me të cilën po përballet njerëzimi aktualisht.

Infodemia, si një kombinim i pandemisë me informacionin, po sjell pothuajse po aq dëme sa edhe vetë pandemia. Dëmet që ky kombinim po ia shkakton botës janë të natyrave të ndryshme, por në shumë raste mund të jenë edhe të njëjta me vetë virusin Korona, siç është problemi shëndetësor.

Në shkurt të këtij viti Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deklaroi se COVID-19 nuk ishte e vetmja emergjencë shëndetësore publike me të cilën po përballej bota, ne gjithashtu po vuanim nga një “infodemi” e lajmeve të rreme shëndetësore. “Lajmet e rreme përhapen më shpejt dhe më lehtë sesa ky virus”, tha ai, duke shtuar se “ato paraqesin pa aq rrezik sa vetë virusi”.

Teknologjia informative (TI) dita-ditës po e përmbush misionin e saj në krijimin e një bote më të lidhur, por njëkohësisht ajo po përjeton edhe ironinë e këtij misioni: krijimin e një ambienti më të pasigurt për njerëzimin. TI-ja ka lehtësuar shpërndarjen e shpejtë të informacionit përmes platformave të shumta online, duke ofruar mundësi për edukim të lirë dhe masiv, por në të njëjtën kohë dhe në mënyrë tinëzare këto platforma po përdoren edhe nga krijuesit e lajmeve dhe informacioneve të rreme.

Infodemia, që vjen si produkt i avancimit të teknologjisë, është një fushë e cila është studiuar së fundmi, në kohën kur edhe ritmi i zhvillimit teknologjik është përshpejtuar.

Studiuesit në “Reuters” - Institutin për Studimin e Gazetarisë (RISJ) dhe në Institutin e Internetit të Oksfordit theksuan se shumica e punimeve kanë dalë që nga fillimi i vitit 2020. Por fjala “infodemi” u shfaq për herë të parë në “Washington Post” në 2003-n, në kohën e shpërndarjes së epidemisë Sars.

David Rothkopf, gazetar dhe politikolog, e përdori këtë term për të përshkruar se si “disa fakte, të përziera me frikë, spekulime dhe thashetheme”, të mbështetura nga teknologjia, mund të çojnë në një reagim joadekuat të audiencës.

Por si ndikuan mediat dhe rrjetet sociale në shtrirjen më të gjerë të artikujve me përmbajtje të rreme ose të fabrikuar tek audienca kosovare ose shqipfolëse?

Avancimi i internetit ka çuar në zhvillimin e shumë platformave digjitale, duke përfshirë rrjetet sociale, makinat e kërkimit dhe kanaleve me videopërmbajtje.

Sipas shumë studimeve të bëra në dhjetëvjetëshin e fundit, Kosova paraqitet të jetë një vend me shtrirje të gjerë të internetit.

Në bazë të raportit të STIKK-së, 96% e familjeve në Kosovë kanë qasje në internet. Kjo ka shtyrë që kosovarët të jenë përdorues të rregullt ditor të mediave online dhe të rrjeteve sociale.

Të gjetur në oqeanin informativ online, kosovarët janë përballur menjëherë me rrezikun e informatave të rreme.

Audienca në Kosovë, sikurse e gjithë bota, është prekur nga fenomeni “infodemia”, i përhapur kryesisht me të filluar periudha e izolimit, si masë mbrojtëse ndaj shpërndarjes së virusit Korona. Përkundër mungesës së mekanizmave mbrojtës, që do të mundë të ishin të udhëhequr nga vetë shteti, fatmirësisht nuk është evidentuar ndonjë pasojë, siç ka ndodhur në vendet e tjera të botës. Mirëpo, në anën tjetër, kjo periudhë prej rreth 6 muajve ka shfaqur dukshëm pasigurinë dhe rrezikun me të cilin përballet audienca kosovare si rezultat i dezinformimit nga kanalet digjitale.

Si të luftohet dezinformata?

Lufta kundër lajmeve të rreme është duke u shpërndarë në disa fronte. Sa më shumë mënyra të shpërndarjes së lajmeve të rreme, aq më shumë dilema për luftën kundër tyre.

Lufta kibernetike duket të jetë shumë e vështirë. Përpjekjet e rrjeteve sociale për të ndalur shpërndarjen e tyre po sjellin rezultate, por jo të dëshirueshme. Janë ndërmarrë shumë hapa në krijimin e algoritmeve që detektojnë postimet e artikujve me përmbajtje të rreme në rrjete sociale, por që nuk duket se kanë rezultuar me sukses të vërejtur. Algoritmet dhe të gjitha pajisjet që përdorin Inteligjencën Artificiale (IA), me nivelin e avancimit që e kanë aktualisht, janë duke i luftuar lajmet e rreme përmes referencave nga lajmet dhe informacionet e publikuara nga e kaluara, që janë vlerësuar si të pasakta.

Vlerësimin si lajme të pasakta e japin kryesisht platformat e kontrollimit të fakteve, që shërbejnë shpesh edhe si palë mbështetëse për rrjetet sociale. Platformat e kontrollimit të fakteve (fact-checking), si palë e tretë, përpos identifikimit të lajmeve rreme, janë duke e përdorur edhe komponentin e edukimit të audiencës.

Në bazë të kësaj, mund të thuhet se lufta ndaj dezinformatës aktualisht është duke u zhvilluar në dy fronte. Dilema nëse do të jetë më i suksesshëm efekti i vaksinës ose imunizimi i popullatës në luftën kundër pandemisë COVID-19 ngjashëm po shfaqet edhe në luftën kundër infodemisë. Pra shtrohet çështja nëse do të ketë më shumë sukses largimi i llogarive e faqeve që krijojnë dhe shpërndajnë lajme të rreme si injektim direkt apo imunizimi i masës, që do të nënkuptonte edukimin e audiencës për identifikimin e informacioneve të rreme, ose ndoshta të dyja.

Autori është gazetar - redaktor shumëvjeçar në mediat tona dhe themelues i “Hibrid.info”, platformës e cila merret me zbulimin e lajmeve të rrejshme

Ky opinion është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorëve/autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo, apo KosovaLive.