Besnik Krasniqi i lumtur në fanellën e Prishtinës, ky është premtimi për ndeshjen ndaj Arbërisë

Skuadra e Prishtinës, nesër zhvillon ndeshjen e dytë kampionale të edicionit, ku përballet me Arbërinë në fushën asnjanëse të KEK-ut, aty ku Arbëria nga Dobraja ka vendosur t’i zhvillojë ndeshjet si vendase, shkruan “Zeri.info”.

Skuadra bardhekaltër shkëlqeu ndaj Drenicës, duke fituar me rezultat 3:0, derisa lajmi i mirë për trajnerin Zekirija Ramadani është se asnjë lojtarë nuk ka shfaqur asnjë shenjë lëndimi.

I rikthyeri në ekipin bardhekaltër, Besnik Krasniqi për faqen zyrtare të klubit Fc Prishtina, ka thënë se për të fituar ndaj Arbërisë duhet angazhim maksimal.

“Ishte ndjenjë shumë e mirë që pas shumë vitesh u ktheva të luaj në shtëpinë time. Jam shumë i kënaqur që arritëm fitore të pastër.

Shpresoj të vazhdojmë me fitore edhe ndaj Arbërisë, skuadër kjo për të cilën nuk kam shumë informata, por sipas ndeshjes së parë, s’duhet nënvlerësuar, për çka jemi shumë të vëmendshëm që të japim më të mirën nga vetja jonë duke shpresuar se do të rikthehemi me pikët e plota”, ka thënë mbrojtësi i djathtë, Besnik Krasniqi. /Zeri.info