Kapiteni i Arbërisë reagon pas fitores në 'Riza Lushta': Kemi punuar shumë edhe për këtë ndeshje

Arbëria e Dobrajës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra nga Lipjani që ka debutuar këtë vit në elitën e futbollit kosovar, është përballur sot me Trepçën'89, raporton "Zeri.info".

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin "Riza Lushta" në Mitrovicë, Arbëria e Dobrajës ka fituar me rezultat të pastër, 0:2.

Pas ndeshjes, kapiteni i Arbërisë, Labinot Ibrahimi është shprehur tejet i lumtur me tre pikëshin e parë.

“Po, është fitorja e parë në ndeshjen e parë të Arbërisë në Superligë dhe sigurisht si skuadër jemi shumë të kënaqur”, deklaroi Ibrahimi për "ArtSport", përcjell "Zeri.info".

“Gjatë fazës përgatitore jemi përgatitur shumë. Po ashtu kemi punuar shumë edhe për këtë ndeshje dhe ia arritëm ta fitojmë”, shtoi ish-mbrojtësi i FC Prishtinës. /Zeri.info