Ambasadori izraelit në Serbi: Njohja e Kosovës është pjesë e marrëveshjes në Washington

Ambasadori i ri i Izraelit në Beograd, Yahel Vilan, ka thënë se vendi i tij teknikisht ende nuk e ka njohur Kosovën.

Megjithatë, thotë se kjo është pjesë e marrëveshjes së arritur para pak kohësh në Washington dhe se beson që kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e fuqishme mes Serbisë dhe Izraelit.

“Për sa i përket Kosovës, e kemi deklaratën e kryeministrit për njohjen e ndërsjellë mes Izraelit dhe Kosovës. Deri më tani nuk kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm në terren, por, kjo është pjesë e marrëveshjes së arritur në Washington”, tha Vilan për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, në deklaratën e tij të parë për ndonjë medie në Serbi, menjëherë pasi ai ia dorëzoi letrat kredenciale presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Zeri.info.

Diplomati izraelit, megjithatë, është i bindur se njohja e ndërsjellë mes Izraelit dhe Kosovës nuk do të ndikojë në marrëdhëniet, siç i quajti ai, e forta të vendit të tij me Serbinë, të cilat, thekson ai, Izraeli planifikon t'i forcojë edhe më shumë.

Ai shtoi se edhe takimi i sotëm me presidentin serb ishte i përqendruar pikërisht në raportet mes dy vendeve.

Në pyetjen nëse Izraeli, përderisa Serbia e bartë ambasadën e saj në Jerusalem “do t’ia kthejë njëjtë” Serbisë në të njëjtën formë, Vilan tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Serbinë si shtete mike në njërën anë, dhe në anën tjetër ai tha se kjo pritet të ndodhë edhe nga vende tjera mike.

“Por, ky është një shërbim nga Serbia dhe ne e vlerësojmë atë dhe mendojmë se është një hap shumë i rëndësishëm përpara. Kryeministri dhe Presidenti kishin një bisedë telefonike të premten e kaluar, ne do t’i diskutojmë detajet, se si do t’ia kthejmë Serbisë”, tha Vilan.

Në shënimin e Vitit të Ri hebraik në Kosovë, një ngjarje kjo që u mbajt mbrëmë e ku morën pjesë krerët institucionalë e partiakë të Kosovës, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dërgoi një letër ku ndër të tjera tha se i shtrin popullit të Kosovës dorën e miqësisë, duke mos thënë nëse vendi i tij dhe Kosova kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, apo kanë vendosur për njohjen reciproke. /Zëri