Gjykata Themelore në Prishtinë fillon punën me kapacitet të plotë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka filluar aktivitetin e saj me kapacitet të plotë, duke përfshirë edhe caktimin dhe mbajtjen e seancave.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Trupa Menaxhuese ka vendosur për tërheqjen e masës së pezullimit të mbajtjes së seancave gjyqësore.

Më këtë rast Gjykata ka filluar aktivitetin e saj me kapacitet të plotë, duke përfshirë edhe caktimin dhe mbajtjen e seancave.

“Me këtë vendim gjyqtarët janë rekomanduar që me rastin e caktimit të seancave të kenë parasysh numrin e pjesëmarrësve në seancë, mundësinë e mbajtjes së distancës fizike dhe kushtet tjera të përcaktuara në planin emergjent dhe udhëzimin për organizimin e seancave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Palëve u kërkohet që me rastin e hyrjes në gjykatë domosdoshmërisht të jenë të pajisur me maska dhe të mbajnë distancën fizike. /Zëri