QKSS: Kosovarët të pakënaqur me punën e EULEX-it

Besimi ndaj misionit EULEX në radhët e qytetarëve kosovarë ishte vazhdimisht i ulët. Kështu është konstatuar në një hulumtim që ka kryer Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Kjo Qendër ka publikuar sot punimin “Legjitimimi i misioneve të huaja: Dekonstruktimi i perceptimeve të qytetarëve ndaj EULEX-it në Kosovë”.

Qëllimi kryesor i raportit, QKSS thotë se është përdorimi i provave empirike të perceptimit të qytetarëve që kanë të bëjnë me nivelet e kënaqësisë ndaj EULEX-it.

Sipas QKSS-së, qëllimi i misionit të EULEX-it ishte ndërtimi dhe përmirësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës në vend, ndërsa mandati i tij është zgjatur disa herë, me ndryshime të personelit dhe ristrukturime, me mandatin aktual që duhet të skadojë në 2021.

Sipas punimit të QKSS-së, ka pasur disa ‘kulme’ të niveleve më të larta të kënaqësisë, ai kurrë nuk u rrit mbi 31.4% (në fund të 2013) që sjell legjitimitetin e misionit në pikëpyetje.

“Mungesa e suksesit për misionin mund të shihet duke përdorur masa të tilla si Indeksi i Transparencës, i cili tregon nivele të ulëta të përmirësimit në lidhje me korrupsionin në përgjithësi në Kosovë - diçka që u reflektua edhe në BKS”, thotë QKSS.

“Për më tepër, përmbledhja zbuloi se, krahasuar me misionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, siç është KFOR-i, EULEX-i ka nivele shumë të ulëta të kontaktit me publikun e Kosovës dhe ku ka pasur kontakt, cilësia e kontaktit ishte e pamjaftueshme”, thuhet në raportin e QKSS-së. /Zëri