Ambasadat Britanike në Ballkan: Të zhdukur, por jo të harruar
Sot shënohet përvjetori i nëntë i “Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve”. Është kjo një ditë për njerëzit në mbarë botën që të pauzojnë dhe të mendojnë për ata që janë të zhdukur.
Të humbësh ndonjë të dashur është e dhimbshme. Por ta humbësh dikë të dashur dhe të mos dish kurrë për fatin e tyre apo vendin ku pushojnë, të thyen zemrën. Ky ka qenë realiteti agonizues për shumë familje në Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada.
Janë rreth 40,000 njerëz të zhdukur gjatë konflikteve në të ’90-at në territorin e ish-Jugosllavisë. Rreth 11,000 janë ende të pagjetur. Kjo mbetet një nga trashëgimitë më të dhimbshme e atyre konflikteve.
Teksa kujtojmë të Zhdukurit, i nderojmë të gjithë ata që kanë punuar pa u lodhur për të gjetur dhe identifikuar viktimat e konfliktit dhe për të sjellë një farë ngushëllimi për familjet e tyre të pikëlluara, transmeton Zeri.info.
Mes dhimbjes dhe vuajtjes së tejzgjatur ekziston gjithashtu një histori e jashtëzakonshme. Më shumë se 70 për qind e atyre që janë raportuar të zhdukur në fund të luftimeve janë gjetur. Asnjë rajon tjetër pas konfliktit nuk ka arritur një shkallë kaq të lartë identifikimi.
Një arsye për këtë është përdorimi i teknologjisë së re që ka revolucionarizuar procesin e identifikimit të mbetjeve njerëzore. Kjo teknologji përdorë mostrat e ADN-së nga anëtarët tjerë të familjes së gjerë dhe të familjes së afërt, dhe do të mundësojë përparim të mëtejmë në dhënien fund të këtij kapitulli të dhimbshëm të trashëgimisë së konfliktit.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë e privilegjuar për të mbështetur dhe punuar me organet qeveritare dhe organizatat lokale dhe ndërkombëtare. Ata përpiqen t’u japin familjeve shpresë se të dashurit e tyre do të gjenden dhe identifikohen dhe t’u japin atyre një fund.
Familjet e të zhdukurve kanë një tregim të fuqishëm për të treguar. Zërat dhe veprimet e tyre kanë vazhduar të ndihmojnë të tjerët që po ballafaqohen me këtë çështje. Mbetemi të përulur nga guximi dhe vendosmëria e tyre. Siç tha Lartësia e Tij Mbretërore, Princi i Uellsit, kur u takua me ta në Londër, “dinjiteti dhe njerëzimi i tyre është një mësim për të gjithë ne dhe një kujtesë se pajtimi nuk është thjesht një koncept abstrakt teorik”.
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër korrikun e vitit 2018, në një Deklaratë të Përbashkët, liderët rajonalë u përkushtuan për të garantuar hetime të paanshme dhe të efektshme për rastet e personave të zhdukur: të zgjedhin sa më shumë raste që të jetë e mundur; t’i angazhojnë aktivisht familjet në proces; dhe të përmbahen nga politizimi i kësaj çështjeje. Ua rikujtojmë të gjithëve këto përkushtime sot.
Mbesim të përkushtuar për të ndihmuar në intensifikimin e përpjekjeve për të lokalizuar dhe identifikuar ata që ende nuk janë gjetur. Bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë dypalësh dhe rajonal do të jetë thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura. Pjesë qenësore e kësaj është Grupi i Personave të Zhdukur i themeluar nga Institucionet për Persona të Zhdukur në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi dhe në Serbi me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP). Plani i Grupit përcakton veprimet që vendet do të ndërmarrin për të dhënë llogari për rastet e mbetura të personave të zhdukur, duke përfshirë fillimin e një baze publike të të dhënave.
Ne vlerësojmë vendosmërinë e Institutit të Personave të Zhdukur për të punuar së bashku përtej kufijve dhe për të vendosur familjet në zemër të procesit. Ne i nxisim ata të ruajnë këtë sens qëllimi dhe urgjence, për të sjellë ngushëllim për familjet që ende kërkojnë.
Teksa kujtojmë sot, ne ripërkushtohemi që të mbështesim punën domethënëse që ende duhet të bëhet. Ne i mbajmë sytë hapur drejt qëllimit për të zgjidhur mijëra çështjet e mbetura të pazgjidhura. Ne do të vazhdojmë të punojmë për drejtësi për viktimat e konfliktit, për paqen e mendjes dhe mbylljen për familjet e tyre dhe për pajtimin e qëndrueshëm në të gjithë këtë rajon të bukur.
Përktheu dhe përshtati: Zeri.info
Bashkautorë: Nicholas Abbott, Ambasadori i Shkëlqesisë së Saj në Kosovë, Matthew Field, Ambasadori i Shkëlqesisë së saj në Bosnje e Hercegovinë, Sian MacLeod, Ambasadorja e Shkëlqesisë së saj në Serbi, Karen Maddocks, Ambasadorja e Shkëlqesisë së Saj në Mal të Zi, dhe Helen Walker-Flemming, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Britanike në Kroaci.