Kamenica kthehet në një vend atraksioni për vizitorët
Këto ditë pandemie kur secili nga ne dëshiron të largohet së paku pak orë nga ambienti mbytës ku mbizotëron korona, një vend i tillë relaksues ndodhet në fshatin Berivojcë të Kamenicës.
Aty ku sytë të kapin veç gjelbërim është hapur “Joni Ranch”. Kuaj të racave dhe ngjyrave të ndryshme i sheh teksa vrapojnë në këtë ranch, i pari biznes i hapur i këtij lloji në zonën e Kamenicës.
Pronari i këtij rançi ka zgjedhur Kamenicën që të investojë si një nga qytetet periferike që vizitohet më së paku. Tani kur shumë biznese në Kosovë kanë deklaruar mbylljen për shkak të pandemisë, Nexhmedin Hyseni, i cili jeton në Zvicër, ka punësuar disa veta në këtë ranch.
Hyseni ka bërë realitet dhe një ëndërr të tij që të investojë në vendlindje.
Menaxheri i këtij rançi, Erik Fazliu thotë për “Zërin” se fillimisht është hapur me vetëm dy kuaj, pastaj janë blerë dhe dy të tjerë. “Më vonë e kemi pasuar rançin edhe me pesë kuaj dhe kështu ka arritur numri prej 20 kuajve", thotë ai.
Me kaq nuk është mbyllur investimi i Hysenit. Fazliu thotë se që të bëhet një vend sa më atraktiv për vizitorët është investuar edhe në restaurant.
Tani në këtë ranç nuk ka vizitorë vetëm nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga ata nga rajoni.
“'Joni Ranch' e vizitojnë vizitorë të ndryshëm nga vende të ndryshme të Kosovës, por jo vetëm të Kosovës, pasi që kemi vizitorë të shumtë edhe nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Zvicra, si dhe nga Gjermania tash ka pasur turistë. Ka pas shumë edhe kosovarë që jetojnë në vendet evropiane, por edhe të huaj që kanë ardhur për vizitë në Kosovë edhe kanë pas dëshirë ta vizitojnë Joni Ranchin”, potencoi ai.
Sipas punonjësit Bashim Isufi, karakteristikë e këtij rançi janë kuajtë e racës arabe, të cilët njihen si tolerantë dhe dashamirës ndaj njeriut, madje është e vështirë të sigurohen ata.
“Edhe një karakteristikë e veçantë është raca arabe e kuajve që e kemi në ranç, e cila në Kosovë nuk ekziston jo se jo, por edhe në rajon me sa kam njohuri nuk kanë një ranç me një shumicë kuajsh të tillë, prej 15-17 kuajve”, tha ai.
Isufi njoftoi se kalërimi në "Joni Ranch" ofrohen për konsumatorin pa pasur ndonjë rrezik.
“Kaltërimi për të rritur është 5 euro, pesë rrathë për fëmijë 3 euro dhe tre rrathë, kurse për kalërim në natyrë është 45 minuta dhe kushton 10 euro”, deklaroi ai. /Zëri