Phillips: Administrata Trump kërkon zgjidhje të shpejtë, por s’ka zgjidhje të tillë për krimet e Serbisë

David L. Phillips, drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një intervistë të shkurtër për “Zërin” rreth takimit që pritet të mbahet më 4 shtator në Washington mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, ka thënë se nuk pret ndonjë befasi nga ai takim.

Ai thotë se është mirë që po takohen kryeministri Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi që kjo dëshmon se dialogu është mënyra e preferuar për zgjidhjen e dallimeve, por thekson se dallimet mes dy vendeve janë të mëdha.

“Nuk pres ndonjë befasi nga takimi i 4 shtatorit mes kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq. Është mirë që po takohen, sepse kjo tregon se dialogu është ende mënyra e preferuar për zgjidhjen e dallimeve. Por dallimet mes Kosovës dhe Serbisë janë të mëdha; do të duhet kohë për zgjidhjen e tyre. Diplomacia është një proces, e jo një ngjarje”, deklaroi Phillips për “Zërin”.

Ai thotë se administrata Trump dëshiron një zgjidhje të shpejtë mes dy vendeve në mënyrë që ta prezantojë si një fitore diplomatike para zgjedhjeve presidenciale amerikane.

“Por, nuk ka zgjidhje të shpejtë për krimet e Serbisë. Paqja mund të arrihet vetëm atëherë kur ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshin llogaridhënien për krimet e luftës; kompensimin për pronat e vjedhura apo shkatërruara; dhe për zbardhjen e plotë të fatit të personave të pagjetur”, potencoi ai.

Gara presidenciale në SHBA tashmë ka hyrë në fazën finale, duke u zyrtarizuar dy kandidaturat: Donald Trump nga Republikanët edhe për një mandat, dhe Joe Biden nga Demokratët.

Biden, kohë më parë e pati kritikuar qasjen e Trumpit ndaj çështjes Kosovë-Serbi dhe për mungesën e bashkëpunimit me BE-në për këtë çështje. Madje, ai pati thënë se nëse zgjidhet president, administrata e tij do të bashkëpunonte me BE-në për të lehtësuar një marrëveshje mes dy vendeve e cila do të rezultonte me njohje reciproke, dhe do të ruante sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja vendeve.

David Phillips mendon se Bideni, në rast të fitores në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA, do të punonte në arritjen e një marrëveshjeje e cila do t’i avanconte interesat e Kosovës.

“Duhet të përfshijë edhe njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë brenda kufijve aktualë. Veç kësaj, Beogradi duhet të ndalojë menjëherë fushatën e saj tinëzare për të parandaluar njohje tjera globale për Kosovën dhe t’i ndalojë përpjekjet e saja për t’i detyruar vendet që e kanë njohur Kosovën t’i tërheqin njohjet. Zëvendës presidenti Biden e njeh Ballkanin dhe do të punojë që të arrijë një marrëveshje që i shërben qëllimit të një paqeje të qëndrueshme, duke i avancuar interesat e Kosovës”, thekson David Phillips për Zeri.info.

Ai mendon se, në mënyrë që negociatat të jenë të suksesshme, nevojitet bashkëpunim më i madh trans-atlantik.

“Për dallim nga presidenti Trump, i cili përçmon aleancat dhe multilateralizmin, administrata Biden do ta vë theksin te puna me aleatët. Bulizimi që Rick Grenell ia bën Kosovës është mosrespektues. Diplomacia e Trumpit dhe paragjykimi pro-serb ka qenë një dështim. Ajo çnderon mijëra shqiptarë të Kosovës që vdiqën për shkak të agresionit të Serbisë”, theksoi ish-Këshilltari i Lartë i Departamentit të Shtetit që punoi mbi ish-Jugosllavinë gjatë administratës Clinton.

Phillips tha koordinatori për dialogun, Skender Hyseni, të cilin qeveria e Kosovës po e dërgon në Berlin, Paris e Bruksel, do të nënvizojë rëndësinë e bashkëpunimit trans-atlantik në bisedimet Kosovë-Serbi. Sipas tij, Hyseni do të nënvizojë edhe rëndësinë e Kapitullit 35, i cili e kushtëzon anëtarësimin e Serbisë në BE pa një marrëveshje për normalizim të raporteve dhe pa njohje reciproke me Kosovën.

Njohësi i çështjeve ballkanike, David Phillips, thotë se nëse Serbia refuzon njohjen reciproke me Kosovën, atëherë do të mbetet një vend i përjashtuar në Evropë dhe një paria-shtet për krimet që [Slobodan] Milosheviqi i kreu dhe të cilat populli i Serbisë i dënoi.

“Është koha që të ecet përpara dhe serbët t’i japin fund turpit të tyre”, deklaroi ai.

Duke folur për propozimin e vjetër për dy zona të lira ekonomike, njëra në pjesën veriore të Kosovës, dhe tjera në Luginën e Preshevës, Phillips thotë se integrimi ekonomik është një synim i vlefshëm, mirëpo nuk e zëvendëson marrëveshjen për njohje reciproke.

“Qeveria e Kosovës ka shfaqur mbështetje për hekurudhën, për autostradën dhe për zgjerimin e shërbimeve ajrore mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, renditja është e rëndësishme. Marrëveshjet teknike do të rrjedhin nga njohja. Kosova me të drejtë dhe në mënyrë empatike refuzon hapat e vegjël si zëvendësim për një marrëveshje të plotë dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi në fund, David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York.

Kujtojmë se Phillips ka shërbyer si Këshilltar i Lartë i Departamentit të Shtetit duke punuar mbi ish-Jugosllavinë gjatë Administratës Clinton. Ai është autor i librit “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and US Intervention” (Harvard’s Kennedy School). Libri i tij i ri është “Front Line Syria: From Revolution to Proxy War”. /Zëri