Klasa e parë dhe e dytë në Prishtinë çdo ditë mësim në shkollë, tri orë me nga 30 minuta

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Rama paralajmëron se nëse nuk kthehen fëmijët në shkollë plan programet janë të pamundura të arrihen. Rama thotë se protokollet që janë diskutuar nga grupet punuese i mbrojnë shumë mirë nxënësit në objekte shkollore.

“Nëse respektohen këto protokolle fëmijët më të mbrojtur do të jenë në shkollë se në lagjet e tyre ku jetojnë. Ne jemi dëshmitarë ku fëmijët luajnë së bashku në lagje dhe është e pamundur mbyllja e tyre”, tha ajo.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës thotë se për ta si komunë të tri skenarët e propozuar nga MASHT-i janë të implementueshëm.

“Kthimi i nxënësve në shkolla është lehtë i implementueshëm në fshatra pasi maksimumi kanë 15 nxënës në klasë ndërsa ka klasë që kanë edhe pesë nxënës. Nuk është e drejtë që atyre të iu kërkojmë të bëjnë mësim online kur i kanë kushtet për të mbajtur mësim në shkollë”, thekson Rama deri sa tregon se si mund të mbahet mësimi në kryqytet.

“Shkollat e qytetit mund të kenë kthim të pjesërishëm në shkolla. Do të bazohemi në specifikat e shkollave. Klasa e parë dhe e dytë do të mbajnë mësim çdo ditë në shkollë, mirëpo në dy grupe të ndara me nga tri orë mësimore me nga 30 minuta”, deklaroi ajo në televizionin Dukagjini.

Drejtoresha e Arsimit thotë se është e pamundur që klasat e para dhe të dyta të mund të zhvillojnë mësim nga distanca dhe sipas saj është e sigurt se ata do të kthehen në bankat shkollore. Ajo thotë se nëse vërehet se ndonjë nxënës ka nevojë për mësim plotësues do të punohet më të individualisht.

Rama thotë se një tjetër skenarë është vetëm mësim online dhe sipas saj tashmë kanë filluar përgatitjet për xhirimin e njësive mësimore dhe transmetimin e tyre në RTK. Rama ka thënë se nga e marta pritet që shkollat e Prishtinës të furnizohen me mjetet higjienike, dezinfektues e gjithçka që parashihet në protokoll.