Në Fushë Kosovë shkollat hapen nga 1 shtatori

Komuna e Fushë Kosovës, ka bërë të ditur se kanë vendosur që viti i ri shkollor të fillojë nga 1 shtatori.

Në mbledhjen e rregullt të Shtabit Emergjent të mbajtur, është diskutuar për të vetmen pikë të rendit të ditës, për fillimin e vitit të ri shkollor. Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, njoftoi të pranishmit se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që komunat janë kompetente për vlerësimin e mundësisë së fillimit të vitit të ri shkollor, ne si komunë, tha ai “kemi vendosur që procesi mësimor të fillojë më 1 shtator 2020”.

Janë bërë të gjitha përgatitjet që procesi mësimor të fillohet sipas modaliteteve të përcaktuara nga Drejtoria e Arsimit. Muaji shtator dhe tetor sigurisht se do të jenë më të vështirë deri sa të normalizohet procesi, u tha më tej.

Berisha tha se në bazë të diskutimeve, si Shtab e vlerësojnë që procesi mësimor të fillojë më 1 shtator duke i dhënë liri të plotë veprimi Drejtorisë komunale të Arsimit dhe drejtorëve të të gjitha shkollave në komunën e Fushë-Kosovës.

Ndërsa, drejtori komunal i arsimit, Islam Shabani, tha se do të punojmë shumë që të zbatojmë rekomandimet e IKSHPK-së, për një fillim të vështirë por të domosdoshëm dhe të nevojshëm të procesit mësimorë. Mësimi do të fillojë në grupe sipas planit dinamik të hartuar, pastaj orari do të jetë i shkurtër dhe pa pushim. Si sfidë e shohim ndarjen e nxënësve nëpër grupe, krijimin e distancës, por më e vështira do të jetë transporti i nxënësve të shkollave të mesme nga fshatrat për në Fushë Kosovë ku shumica e nxënësve udhëtojnë me autobus. Si sfidë e shohim edhe zëvendësimin e arsimtarëve por që në koordinim me ministrinë e Arsimit, shpresojmë të gjejmë zgjidhje. Lëndët kryesore do të jenë prioritet i zhvillimit të procesit mësimorë.

Osman Maxhera, drejtor i QKMF paraqiti një raport të detajuar për situatën epidemiologjike në komunën e Fushë-Kosovës ku paraqiti edhe raportin e fundit të infektuarve me Covid-19 duke shtuar se edhe përkundër një rënie të numrit të infektuarve gjatë muajit gusht, gjendja nuk është e mirë. Sa i përket fillimit të procesit mësimorë dr.Maxhera tha se kriter i vetëm për të filluar mësimin është respektimi i masave të dhëna nga IKSHPK./Zëri