Zbulohen specie të reja dinozaurësh nga shkencëtarët në Angli
Një specie e re dinozauri, që lidhet me “Rex Tyrannosaurus”, është zbuluar në Angli. Paleontologët në Universitetin e Southamptonit kanë kaluar muaj të tërë duke studiuar katër kocka, që u gjetën vitin e kaluar në fshatin Shanklin, në Isle of Wight, jashtë bregdetit jugor të Anglisë, shkruan CNN.
Sipas një deklarate nga Universiteti, thuhet se më në fund ata përcaktuan se kockat ishin nga qafa, shpina dhe bishti i një dinozauri të ri, që ishte "më parë i panjohur për shkencën".
Dinozauri, të cilin e kishin matur, ishte rreth 4 metra i gjatë dhe është një lloj dinozauri theropod, një grup mishngrënësish që ecnin në mënyrë të veçantë, në dy këmbë në vend të katër, gjë që ishte tipike për “Tyrannosaurus Rex”. Ajo jetoi në periudhën e Kretas, rreth 115 milionë vjet më parë, sipas deklaratës, raporton “Zeri.info”.
Shkencëtarët e quajtën dinozaurin “Vectaerovenator Inopinatus”, një emër që u referohet qeseve të mëdha ajrore në disa prej eshtrave, të cilat zakonisht shihen në theropodë (lloj dinozauri) dhe që i ndihmoi studiuesit të identifikojnë speciet. Qeset shihen gjithashtu te zogjtë modernë; ata ka të ngjarë të ndihmojnë në krijimin e një sistemi efikas të frymëmarrjes në këta dinozaurë, duke e bërë edhe skeletin më të lehtë.
Të katër eshtrat u gjetën vitin e kaluar nga tri grupe të ndryshme. Ky studim konfirmoi që ato kocka të ndara kishin të ngjarë nga i njëjti dinozaur, i cili me siguri jetonte në veri të vendit, ku gjendeshin eshtrat e tij; studiuesit spekulojnë se kufomat ishin larë në detin e cekët aty pranë.
Gjetjet e ekipit do të publikohen në revistën “Papers in Palaeontology”, si dhe tani ata do të shfaqen në muze. /Zëri