Vajzat kanë studiuar më shumë sesa djemtë gjatë pandemisë, thotë hulumtimi
Vajzat kanë studiuar më shumë, dhe kanë shpenzuar më shumë kohë në projekte krijuese sesa djemtë, gjatë pandemisë së koronavirusit në Gjermani.
Por të dyja gjinitë kanë “nervozuar prindërit e tyre” më shumë sesa përpara se të mbyllen shkollat në muajin mars, zbuloi një hulumtim, raporton Reuters.
Koha mesatare që fëmijët kanë kaluar me mësime shkollore ka rënë në 3.6 orë në ditë, nga 7.4 orë normalisht, sipas hulumtimit të realizuar me 1,099 prindër.
Hulumtimi është kryer në qershor, ndërsa u publikua të mërkurën, nga Qendra për Ekonominë e Arsimit – IFO.
Studimi zbuloi se 64% e prindërve besojnë se fëmijët e tyre kishin mësuar shumë më pak gjatë pandemisë.
Ndërkohë, koha që ata kalojnë duke shikuar televizion, duke luajtur lojëra kompjuterike ose duke përdorur telefonat e mençur është rritur në 5.2 orë në ditë, nga katër sa ka qenë.
Vajzat kanë përdorur pajisjet teknologjike një orë më pak në ditë sesa djemtë, por kanë kaluar gjysmë ore më shumë në studimet e tyre, 20 minuta më shumë në lexim dhe projekte krijuese dhe 15 minuta më shumë në mediat sociale.
Prindërit kanë dyfishuar kohën për të ndihmuar fëmijët e tyre me aktivitetet shkollore, në një orë në ditë.
"Rezultatet tregojnë se sa e rëndësishme është që të kthehemi në mësimet normale të shkollës duke respektuar masat mbrojtëse", tha Ludger Woessmann, kreu i Qendrës për Ekonominë e Arsimit.
Gjermania ka regjistruar relativisht pak raste të vdekjeve nga COVID-19, krahasuar me disa vende tjera të BE-së.
Ky vend, ka një sistem të pajisur mirë të kujdesit shëndetësor si dhe ka kryer testime masive që nga fillimi i pandemisë./REL