Komuna e Lipjanit mbyll parqet, shtigjet dhe vendet ku grumbullohen njerëzit

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, ka marrë vendim që të vendosen masa shtesë ndaj COVID-19. Vendimi hyn në fuqi nga sot.

Vendimi i Komunës arsyetohet se po merret në dobi të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve, pas paraqitjes së rasteve të fundit me COVID-19 në komunën e Lipjanit.

“Ditëve në vazhdim Inspektorati Komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të zbatojnë masat e marra nga Komuna e Lipjanit, të cilat janë: 1. Mbyllet përkohësisht sheshi ‘Adem Jashari’ prej orës 18:00 deri në orën 5:00. 2. Mbyllen parqet, shtigjet e ecjes, këndet e lojërave për fëmijë dhe vendet tjera publike, ku paraqitet numër i madh i qytetarëve. 3. Ndalohet tregtimi i produkteve ushqimore dhe joushqimore në rrugët dhe vendet jo të destinuara për tregtim të produkteve. 4. Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Inspektorati Komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim, përcjell “Zeri.info”.

Komuna e Lipjanit fton qytetarët, në veçanti bizneset dhe gastronominë t’u përmbahen kritereve dhe rekomandimeve për distancë, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit. /Zëri