Kusari-Lila i kundërpërgjigjet Hotit, debatin tashmë e orienton në pritjen për rezultat ndaj COVID-19

Deputetja Mimoza Kusari-Lila mëngjesin e sotëm kritikoi kryeministrin Avdullah Hoti pse nuk u vetizolua teksa ishte në pritje të rezultatit për koronavirus.

Ajo madje kërkoi edhe largimin e Qeverisë.

Por Hoti e demantoi kritikën e saj, duke thënë se testimin e kishte bërë të dielën rreth orës 16:00 dhe “në momentin që jam testuar jam izoluar në pritje të rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët”.

“Sapo e kam marrë rezultatin e kam bërë publik. Kushdo që deklaron ndryshe nuk e thotë të vërtetën”, u shpreh Hoti.

Ndaj reagimit të deputetes së Grupit Parlamentar të LVV-së reagoi edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili Kusari-Lilën e quajti “xhelate”.

“Të ngrihesh në mëngjes e ta kërcënosh kryeministrin se do të shkarkojmë pse të ka kapur virusi një ditë më parë është kanibalizëm politik, një idiotizëm i skajshëm që kapërcen çdo normë njerëzore. A thua kështu i edukojmë fëmijët?! Strucët e kabinetit qeveritar, këshilltarët, ministrat, por edhe bashkëpartiakët e Hotit dhe të mitë heshtin, sepse atyre nuk ua ka përmendur emrin xhelatja Kusari-Lila dhe se nuk do t’i hajë. Turp”, shkroi mes të tjerash Mustafa, transmeton “Zeri.info”.

Ndaj këtyre deklarimeve kundërreagoi Kusari-Lila, e cila sërish i uroi shërim të shpejtë kryeministrit Hoti, por tha se uron që “të mos ju mbetet zemërimi dhe gjuha agresive e bashkëpartiakëve tuaj, të cilët u shëruan nga virusi”, duke iu referuar me gjasë kreut të LDK-së.

Ajo tashmë debatin e orientoi në një kah tjetër, duke thënë se fakti që Hoti mori rezultatin për COVID-19 brenda disa orëve “vë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në Kosovë”, transmeton “Zeri.info”.

“Së pari, edhe një herë për ditën e sotme, ju uroj të shëroheni sa ma parë dhe me sa më pak pasoja. Në veçanti uroj të mos ju mbetet zemërimi dhe gjuha agresive e bashkëpartiakëve tuaj, të cilët u shëruan nga virusi. Së dyti, përgjigjja juaj për kohën e testimit dhe pritjen e rezultatit nuk ju liron nga përgjegjësia që mbani. Përkundrazi, kjo përgjigje vë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në Kosovë. Ka shumë familje që janë privuar nga e drejta e lamtumirës me më të dashurit e tyre si rrjedhojë e mosposedimit të rezultatit të testit, por vetëm se është dyshuar se ishin të infektuar, ata janë varrosur (ndonjëherë edhe në mbrëmje) të mbështjellë me najllonë në përcjellje të policisë. Pas dy ditësh është kuptuar se ishin negativë në dyshimin për infektim”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka përmendur edhe vizitat e Hotit, që sipas saj shkelin rekomandimet e IKSHPK-së, pasi përcillet nga më shumë se 30 persona, duke ia kujtuar Hotit që nëse pranon të jetë kryeministër i përgjegjshëm duhet t’i pranojë edhe gabimet.

“Së treti, ju nuk mund të zgjidhni të silleni në kundërshti me të gjitha rekomandimet e IKPSHK-së për qytetarët të cilëve nuk u lejohen vizitat, ndërsa ju personalisht, vetë i 30-ti, vizitoni biznese e përuroni rrugë sikur mos të ishim vendi me më së shumti viktima në botë për kokë banori, e pastaj të pritni mirëkuptim dhe amnisti nga përgjegjësia kur kuptoni se jeni të infektuar. Z. Hoti, nëse pretendoni të jeni Kryeministër i përgjegjshëm, atëherë duhet t’i pranoni gabimet tuaja dhe pasojat që vijnë me to. Ju u sollët për t’u kritikuar z. Hoti, ju nuk respektuat rregullat dhe vazhdoni të mos mbani përgjegjësi për pasojat që i vuajnë edhe tjerët rreth jush. Andaj, para se të krijoni më shumë dëm sesa që keni krijuar deri më tani dhe para se të mos vijmë në ditën kur zyrtarisht jemi në katastrofë, thirrni ndërgjegjes dhe merrni përgjegjësi të cilat vijnë me postin të cilin pa legjitimitet e mbani”, ka shkruar Kusari-Lila. /Zëri