“SpaceX”, “privati” i parë që kthen astronautët në Tokë

Një ditë e rëndësishme për fluturimet në hapësirë është shënuar dje, me rikthimin në Tokë të dy astronautëve të NASA-s, Robert Behniken dhe Douglas Hurley, me anijen “Crew Dragon”, e kompanisë “Space X”, pas një misioni dymujor, që shënon rikthimin e Shteteve të Bashkuara në garën me Rusinë në këtë fushë.

Astronautët janë ulur në Gjirin e Meksikës dhe ngjarja u transmetua direkt nga mediat. Gjithçka shkoi mirë, përtej frikës për motin e keq të shkaktuar në zonë nga stuhia tropikale “Isaiah”, raporton “A2news”.

Ngjarja ka rëndësi historike, sepse shënon rikthimin e një misioni hapësinor që niset dhe rikthehet nga Shtetet e Bashkuara qysh nga viti 2011, kur NASA braktisi misionet “Shuttle”. Nga ai moment SHBA-ja duhet t’i kërkonte Rusisë transportin e astronautëve të saj në hapësirë.

Por rëndësi ka edhe “basti” i fituar pikërisht nga NASA për marrëveshjet me kompanitë private, e filluar në 2010-n dhe që shihej si diçka e dyshimtë.

NASA i kishte dhënë grante prej 4.2 miliardë dollarësh gjigantit “Boeing” për programin “Starliner”, që pati disa vështirësi dhe 2.6 miliardë kompanisë “Space X” të Elon Muskit, dhe pikërisht ky i fundit arrin të përmbyllë i pari një mision të tillë, që parashikon rikthimin e pilotëve, për t’ua lënë rrugën misioneve gjithmonë më të ndërlikuara dhe ambicioze nga sipërmarrësi afrikano-jugor.