AP: Foto nga falja e namazit të Bajramit të Vogël nëpër botë – në Kosovë xhamitë u mbyllën

Myslimanët nëpër botë shënuan festën e Bajramit të Vogël mes pandemisë globale e cila ka ndikuar në pothuajse çdo aspekt në kremtimet e këtij viti.

Në mbarë botën, myslimanët u mblodhën me të afërmit apo në shtëpi të premten për të shënuar ardhjen e Bajramit.

Në Bagdad, kryeqyteti i Irakut, rrugët ishin kryesisht të zbrazëta si pasojë e masave për izolim 10-ditor nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Edhe në Kosovë e në Emiratet e Bashkuara Arabe xhamitë u mbyllën për Bajram të Vogël për të kufizuar përhapjen e virusit, transmeton Zeri.info.

Katër ditët e fundit të pelegrinazhit vjetor të haxhit në Mekë në Arabinë Saudite përkuan me festën katër-ditore të Bajramit, ku myslimanët therin kafshë dhe shpërndajnë mishin për të varfrit. Edhe haxhi ka qenë i prekur shumë këtë vit, ku u lejuan rreth 1 mijë pelegrinë të marrin pjesë, në krahasim me 2.5 milionë sa ishin vitin e kaluar, raporton AP.

Pandemia ka çuar miliona njerëz nëpër botë në prag të varfërisë, duke bërë që shumë prej tyre ta kenë të vështirë të kryejnë traditën e tyre fetare të blerjes së kafshëve.

Në Somali, çmimi i mishin është rritur. Abdishakur Dahir, shërbyes civilë në Mogadishu, tha se për herë të parë nuk do të jetë në gjendje të blejë një dhi për Bajrami për shkak të ndikimit që ka pasur virusi në punë.

“Mezi po ia dal të blejë ushqim për familjen tim”, tha Dahiri. “Momentalisht jemi thjesht duke mbijetuar. Jeta po bëhet dita ditës më e vështirë”.

Në disa pjesë të Afrikës Perëndimore, çmimi për një dash është dyfishuar. Shitësit e bagëtive, që zakonisht para festave bënin punë të mirë, thonë se shitjet kanë rënë.

“Situata është shumë e komplikuar nga koronavirusi, është treg i vështirë”, tha Oumar Maiga, tregtar i kafshëve në Bregun e Fildishtë. “Jemi në një situatë që s’e kemi parë viteve të kaluara”.

Në Indonezi, vendi me popullsinë më të madhe myslimane, njerëzit u lejuan të kryejnë namazin e Bajramit nëpër xhami me rregulla strikte shëndetësore, duke iu kërkuar besimtarëve t’i marrin sexhdet e tyre me vete dhe të mbajnë distancën mes njeri-tjetrit. Besimtarët po ashtu u desh të bartnin maska dhe të mos përshëndeteshin me dorë me njëri-tjetrin apo të përqafoheshin.

Autoritetet në Indonezi po ashtu urdhëruan që mishi të shpërndahet derë më derë tek të varfrit për t’i shmangur radhët e gjata.

“Kjo pandemi, jo vetëm që ka ndryshuar krejtësisht traditën tonë, por ka bërë që çdo ditë e më shumë njerëz të bien në varfëri”, tha Agus Supriatna, punëtor i një fabrike në Indonezi i cili mbet pa punë këtë vit si pasojë e pandemisë.

Më poshtë shihni disa prej fotografive të përzgjedhura nga agjencia e lajmeve Associated Press nëpër botë.