FFK-ja i dërgon telegram ngushëllimi familjes së ish-futbollistit të Ballkanit, i cili vdiq nga COVID-19
Federata e Futbollit të Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Kuqi për vdekjen e ish-futbollistit të Ballkanit, Skënder Kuqi.
Kuqi ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme, derisa është bërë e ditur se ai ka qenë i infektuar me COVID-19, shkruan "Zeri.info".
Telegrami i plotë i FFK-së:
“E nderuara Familje e Skënder Kuqit!
Të nderuar, drejtues, anëtarë dhe tifozë të KF “Ballkani”
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit, Skënder Kuqi, i cili fatkeqësisht, si shumë qytetarë tanë dhe të tjerë anë e kënd globit, e humbi betejën me pandeminë COVID-19, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella.
Kontributi i Skënder Kuqit në futbollin e Kosovës do të vlerësohet dhe respektohet gjithmonë. Ai ishte njeri me virtyte të larta, i cili vazhdimisht u dha mbështetje brezave të rinj në Suharekë për futbollin dhe sportin në përgjithësi, andaj vdekja e tij është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin sportiv.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së”. /Zeri.info