Oda e Mjekëve të Kosovës lartëson punën e dy mjekëve që vdiqën sot nga COVID-19

Oda e Mjekëve të Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjeve dhe bashkëpunëtorëve të dy profesionistëve shëndetësorë, që vdiqën sot nga COVID-19.

Oda e Mjekëve të Kosovës në një shkrim në “Facebook” ka paraqitur një historik të shkurtër për të dy mjekët kosovarë, Ali Tolaj dhe Sylejman Rexhepi, përcjell “Zeri.info”.

“Ata e kanë lartësuar jetën dhe veprën e tyre në të mirë të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratën e Odës së Mjekëve.

Sipas këtij shkrimi, Ali Tolaj, kirurg i përgjithshëm në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë nga viti 1988, që nga fillimi i pandemisë ishte në krye të detyrës, duke u shërbyer pacientëve deri në ditën kur edhe vetë rezultoi pozitiv në COVID-19.

“Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të shëndetësor për kolegun e tyre, ai nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm”, theksohet nga Oda e Mjekëve.

Mjeku tjetër tashmë i ndjerë, Sylejman Rexhepi, internist dhe reumatolog, gjatë periudhës 1987-89 ishte bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë dhe ka marrë pjesë në organizimin e gjashtë simpoziumeve për këtë problematikë.

Në vitin 2000 zgjidhet zëvendësshef, ndërsa më 2001-n shef i Katedrës së Mjekësisë Interne. /Zëri