Konsolidimi i lidhjeve të mira mes Kosovës dhe Greqisë
Më shumë se 20 vjet pasi gjenocidi i Milosheviqit u ndalua nga ndërhyrja e NATO-s, të cilën e miratoi Greqia, është koha që Greqia ta njohë zyrtarisht Kosovën si një vend të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë. Njohja do të krijonte mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë në të mirë të Kosovës dhe Greqisë, si dhe vendeve të tjera të rajonit.
Grekët dhe shqiptarët e Kosovës kanë shijuar historikisht marrëdhënie të mira. Shumë Grekë studiuan dhe pushuan në Kosovë. Ne mësuam nga njëri-tjetri, ndamë kulturën dhe vlerat tona të përbashkëta dhe zhvilluam miqësi të qëndrueshme. Gjatë tranzicionit të saj kosovarët kanë dashur bashkëpunimin me Greqinë si një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së. Qeveritë e njëpasnjëshme greke mbështesnin lirinë dhe demokracinë në Kosovë dhe rajon.
Kosova është përpjekur të përparojë. Në fund të viteve 1980 Serbia përdori forcë për të shfuqizuar institucionet e Kosovës, duke imponuar aparteidit të ngurtë. Në vitet 1990 agresioni serb bëri krime në Kosovë.
Gjatë kësaj kohe të errët marrëdhëniet Kosovë-Greqi ishin konstruktive. Zyrtarët grekë mirëpritën dr. Ibrahim Rugova në Greqi. Dr. Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte udhëheqësi i pakontestuar i kosovarëve dhe prijësi kryesor i pavarësisë për Kosovën.
Si kthim, zyrtarë të nivelit të lartë grekë vizituan Kosovën për të ndarë perspektivën e tyre për rezistencën paqësore jo të dhunshme. Unë kam qenë i privilegjuar të jem pjesë e diskutimeve për forcimin e institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Më gjithë përkushtimin e Rugovës për rezistencë jo të dhunshme, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli në përgjigje të rritjes së brutalitetit nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Zyrtarët grekë ishin të shqetësuar për shfaqjen e UÇK-së, por mbështetën aspiratat tona demokratike.
Ata na nxitën të zgjidhim dallimet me Serbinë në mënyrë paqësore dhe përmes negociatave. Sidoqoftë, Millosheviqi ishte i përkushtuar për një zgjidhje më forcë dhe intensifikoi goditjen e Serbisë kundër Kosovës. NATO-ja nisi sulmet ajrore më 24 mars 1999, për të shporrur jashtë Kosovës forcat serbe të sigurisë dhe duke vendosur forcat e NATO-s brenda.
Në këtë kohë kritike Greqia ndihmoi në stabilizimin e Kosovës duke vendosur trupa si pjesë e Forcës së Kosovës (KFOR). Ministria e Jashtme e Greqisë vendosi një prani diplomatike. Ajo mbështeti zhvillimin ekonomik të Kosovës duke inkurajuar bizneset e Greqisë të përfitojnë nga tregu i Kosovës.
Pas një bisedimi të gjatë ndërkombëtar të udhëhequr nga laureati i çmimit “Nobel për Paqe”, Martti Ahtisaari, ne përfunduam zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe shpallëm pavarësinë në 17 shkurt 2008. Unë u nderova që isha nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Një shumicë e vendeve të BE-së dhe NATO-s njohën pavarësinë e Kosovës. Deri më tani 114 vende kanë krijuar marrëdhënie diplomatike.
Greqia votoi për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare. Zyrtarët grekë, duke përfshirë ministrin e saj të jashtëm, vizituan Kosovën. Kontakti midis parlamentarëve ka qenë i gjerë. Greqia ka njohur pasaportat e lëshuara nga Republika e Kosovës dhe ka mirëpritur vendosjen e misionit diplomatik të Kosovës në Athinë. Shoqëria civile - studiues, drejtues biznesi dhe figura kulturore - vizituan Greqinë dhe u pritën ngrohtësisht.
Asnjë çështje e jashtëzakonshme territoriale ose e sigurisë nuk ekziston midis Greqisë dhe Kosovës. Ne jemi të angazhuar sinqerisht në dialogun Kosovë-Serbi, i cili lehtësohet nga BE-ja, që synon normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë.
Në kohë kur Kosova hyn në fazën tjetër të shtetndërtimit, ne ftojmë bashkëpunim më të ngushtë me Greqinë. Konkretisht, ne e ftojmë Republikën Helenike që të njohë zyrtarisht Kosovën dhe të krijojë marrëdhënie diplomatike.
Duke zgjidhur me guxim dallimet me Maqedoninë e Veriut, Greqia duhet të përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pata një privilegj të takoja kryeministrin Kyriyakos Mitsotakis, për të cilin kam konsideratë shumë të lartë.
Jo vetëm që vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Greqisë do të ketë një ndikim pozitiv në mënyrë bilaterale, ajo gjithashtu do të ketë një ndikim pozitiv në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri.
Shpresojmë që liderët grekë kanë mençurinë të ecin përpara. Të dy vendet do të përfitojnë nga marrëdhëniet miqësore.
(Alush Gashi është këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, z. Avdullah Hoti. Më parë ai shërbeu si këshilltar i lartë i presidentit Ibrahim Rugova, ministër i Shëndetësisë dhe anëtar i Parlamentit).
Opinioni në këtë shkrim është i autorit dhe jodomosdoshmërisht paraqet qëndrimin e Qeverisë.
Ky opinion është botuar në gazetën greke “Makedonia”.