Ballkani dhe FC Prishtina, dy ndeshje mes vete të zhvilluara këtë edicion, cila skuadër ishte më e suksesshme?

Në kuadër të javës së 31-të të Superligës së Kosovës në futboll, në pasditën e sotme do të zhvillohen gjashtë ndeshje tejet interesante, raporton "Zeri.info".

Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiro do të zhvillohen sot me orar të njejtë, saktësisht nga ora 17:00.

Përveç "Derbit të Anamoravës", sot do të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje tejet interesante në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Në Suharekë, Ballkani i Ismet Munishit është nikoqir i FC Prishtinës në një ndeshje, e cila garanton spektakël.

Ballkani dhe FC Prishtina janë përballur dy herë mes vete këtë edicion në elitën e futbollit kosovar.

Fillimisht, më 7 tetor 2019, në Suharekë, Ballkani kishte mposhtur FC Prishtinën me rezultat minimal, 1:0.

Ndërkaq, në ndeshjen e dytë, FC Prishtina dhe Ballkani më 29 shkurt të këtij viti kishin barazuar pa gola në stadiumin "Fadil Vokrri", i cili mblodhi atë ditë mbi shtatë mijë shikuesë.

Derisa FC Prishtina është eliminuar nga gara për titullin e kampionit, Ballkani me vetëm rezultat pozitiv sot, mund ta vazhdojë luftën për titull. /Zeri.info