MSH-ja angazhon 50 profesionistë shëndetësorë në luftën kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka angazhuar 50 profesionistë të rinj shëndetësorë, të cilët do të fillojnë punën në QKUK për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe të konfirmuar me COVID-19.

Prezantimin e këtyre profesionistëve e ka bërë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe u.d. i drejtorit të përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Zemaj tha se punësimi i këtyre profesionistëve do të ndihmojë klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme për të pasur punën më të lehtë.

“Bashkërisht me ne sot janë 50 profesionistë, 8 laborantë që kanë filluar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, 4 mikrobiologë, 20 inspektorë, sot gjatë ditës do të shpërndahen edhe 50 mjekë dhe 62 infermierë, sipas kërkesave dhe nevojave që janë akoma në rritje. Nuk do të thotë që do të ndalemi me këtë angazhim. Do të shikojmë të gjitha potencialet dhe mundësitë buxhetore të angazhojmë personel shtesë që të mbulojmë nevojat të cilat i ka shëndetësia”, tha Zemaj. /Zëri