Nëna ime depresive (III)
Në maj të vitit 2018 nëna ishte kthyer në shtëpi.
Shtrirja në spital e kishte qetësuar paksa. Fakti që ishte shoqëruar dhe kishte ndarë hallet me tjerët në të njëjtën situatë na dukej si diçka madhështore.
“Atje po më kuptojnë” - përsëriste shpesh nëna. Ani pse të njëjtat fjalë të infermierëve që dëgjonte atje e halle të ndryshme të njerëzve i ndanim edhe ne me të gjersa ishte në shtëpi.
Për dallim nga ne në shtëpi, profesionistët e fushës kishin më shumë përgjigje e dije, ndërsa fakti i të qenët një në vështirësi me tjerët atje i garantonte edhe hapje më të madhe.
Kishin kaluar 2 javë që kur nëna ishte shtrirë në spital, ndërsa unë e shoqëroja.
Ishte shkurti i vitit 2018. Fillimi ishte i vështirë!
Mbaj mend se nëna vajtonte për faktin se ishte shtrirë në “Neuropsikiatri”. “Nuk jam e sëmurë” - vazhdonte litania, derisa u adaptua.
Pas disa dite në dhomën e saj, nisi të frekuentonte sallën ku mblidheshin tjerët, nga ku edhe nisi shoqërimi. Një vajzë e re 18 vjeçare kishte tetë muaj që ishte sistemuar në atë repart.
“Kam probleme me drogën” - i kishte thënë nënës, duke i rrëfyer për problemet e saja dhe ngushëllimin që e kishte gjetur tek narkotikët sa herë që ishte përballur me kriza emocionale.
Nëna nisi ta ngushëllonte atë duke e harruar veten. Kështu hap pas hapi nisi të flasë dhe të dëgjojë halle të tjerëve.
“Kam humbur punën. Kemi jetuar shumë mirë e qe tash pa punë e pa të ardhura po më përcjellin një mijë probleme”, po i rrëfente hallet e saja një grua në të pesëdhjetat.
Këto rrëfime sikurse shumë tjera po i dëgjoja me vëmendje!
Sa të ndryshme e të njëjta njëkohësisht ishin të gjitha. Depresioni i bënte bashkë e i ndante nga të tjerët që i donin. Kishte persona që nuk ishin vizituar as edhe një herë nga familjarët e tyre.
As edhe një herë të vetme në muaj të tërë! Ju kam tregu, që shumëherë viktimat nuk gjejnë përkrahjen as të familjarëve të tyre.
Në maj nëna ishte kthyer në shtëpi, nën regjim ilaçesh dhe kishte ca kriza të herëpashershme. Pas lëshimit nga spitali ajo ishte shumë më e qetë së çdoherë tjetër.
Kjo na krijoi një farë rehatie. Por në fakt çfarë tentote të bënte ajo ishte fshehja e gjendjes reale, teksa e sforconte veten të tejkalonte krizat pa e vërejtur ne. Këtë e bënte vetëm të mos shtrihej më në spital.
Sidomos për faktin se komentet e të tjerëve rreth hospitalizimit të saj tashmë i kishin shkuar në vesh.
“Atje i lidhin njerëzit”, ka qenë një ndër komentet që një familjare na kishte thënë duke na qortuar pse e kemi hospitalizuar. “Nuk je ti për atë vend, aty shkojnë veç njerëzit e trentë”, ishte komenti tjetër.
Ende ka shumë punë për të bërë për të vetëdijesuar popullatën në Kosovë që të shkosh te psikologu apo ta dinë të tjerët që kë shkuar nuk është e turpshme. Sepse stigma ka bërë që shumëkush të refuzoj trajtimin e duhur shëndetësor dhe të gjejë alternative të tjera të daljes nga “errësira”.
Të kthehemi te maji i vitit 2018. Ju thashë, na kaploj një rehati. A në fakt, nëna po kalonte nëpër episode të reja depressive, sidomos duke dëgjuar komentet përreth saj, dhe duket se dëshironte të mos dorëzohej më e të mos na sillte kokëçarje. Sipas gjasës konsideronte se na ishte bërë barrë, dhe kjo për faktin se edhe disponimi në familjen tonë e kishte marrë teposhtëzen.
Të qeshurat e zakonshme tanimë ishin të largëta, aq sa është i largët Planeti Tokë nga Planeti Merkur.
Punët e shumëfishta, stresi, frika e shumëçka tjetër na kishte dërrmuar. Nuk e ishte e lehtë dhe ajo ishte e vetëdijshme për këtë.
Një natë maji ishim duke u kthyer në shtëpi. Babai kishte qenë tek xhaxhai që jeton pak metra poshtë shtëpisë sonë. Vëllai i vogël kishte dalë me biçikletë me shokët. “Nëna nuk është në Shtëpi!”
Askush nuk e dinte vendndodhjen e saj. Asnjëherë në jetë nuk jam frikësuar më shumë se sa atë natë. Asnjëherë.
U versulëm në kërkim. U ndamë në tërë qytetin. Telefonat nuk ndaleshin.
“E gjete? Jo! Ju a e gjetet? Jo!”
Më ishte suspenduar koha dhe hapësira nga kjo situatë, dhe jo vetëm mua. Kërkimi bëhej edhe më i dhimbshëm kur përskaj autostradës e shihja si mirazh vëllain 11 vjeçar duke e kërkuar nënën e tij. Nënën tonë.
E gjetëm!
Ia kishte ngulur sytë veturave në autostradë.
“Nënë” - bërtita!
Ajo e trishtuar dhe e përhumbur e ktheu kokën pa pikë gjaku në fytyrë. Shikimi i saj ishte i tjetërbotshëm.
“Ku po shkon?” - pyeta rrëmbimthi!
Ajo lëkundi krahët duke më dhënë shenjë se nuk e di se nga po shkon.
“Ankthi i shtrirjes në spital” është përkufizimi që James Coyne cilëson teksa shtjellon arratisjen që njerëzit me depresion e mendojnë dhe e zgjedhin shpesh si mënyrë për të iu shmangur krizave që kanë, duke u larguar nga gjendja dhe vetja e pavlerë siç e shohin.
Shtrirja e dytë e nënës ndodhi pak para ditëlindjes së saj të 49. Ishte 26 qershori i vitit 2018.
Ëmbëlsirën e ditëlindjes e preu në spital, dhe lotët nuk i ndaleshin kur më pa tek hyrja e derës, që mbahej mbyllur gjithmonë për shkaqe sigurie. U ulëm unë dhe ajo në një kolltuk me ngjyrë të kuqe, larg njerëzve që po shërbeheshin me ëmbëlsirën.
Ma shtrëngoi dorën. Më tha se nuk do që të kthehej më kurrë në atë repart.
“Më merr me vete në shpi” - më tha nëna.
Atë javë nënshkruam formularin që vullnetarisht po e tërheqim në shtëpi.
E kishim bërë një pakt. Nuk do të flisnim më për depresionin. Do ta harronim, sepse kishim gjëra më të bukura për të bërë bashkë. Dhe mbi të gjitha u zotuam se do ta mposhtnim së bashku.
Ilaçet do t’i merrte me rregull, dietën do ta mbante me precizitet. Ecjet në mëngjes dhe mbrëmje nuk do të tejkaloheshin. Fjala dorëzim ishte zhdukur nga fjalori jonë.
Kjo ishte e vetmja mënyrë që ajo njëmend të mos kthehej më në spital. Rutina ishte definuar. Në mëngjes! Në drekë! Në darkë!
Që të gjithë e dinim se rrugëdalje tjera nuk kishte. Sa herë që nisja punën e thërrisja nënën në telefon për ta parë nëse është zgjuar. Rutina ishte definuar. Për afro një vit që kur ishte kthyer në shtëpi!
Gjersa një ditë prilli të vitit 2019 kur e mora nënën në telefon për ta pyetur se a është zgjuar?
“Jam zgjuar dhe jam duke pirë kafe turke” - mu përgjigj ajo.
Ishte hera e parë pas 6 viteve që nëna kishte përgatitur e pirë vet një kafe turke.
Të dytën në mesditë e kemi pirë bashkë.
Më e ëmbla që kisha pirë ndonjëherë.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Leonora Aliut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.