Para zgjedhjeve amerikane: Tërheqje trupash edhe nga Ballkani?
Për dy vjet me radhë, Richard Grenell ushtroi detyrën e ambasadorit amerikan në Gjermani. Me njoftimin për largimin e tij të para disa javësh, Berlini nuk është se u mërzit.
Kjo pasi Grenelli, që nga marrja e kësaj detyre në maj të vitit 2018, vazhdimisht e ka zemëruar politikën gjermane. Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) e cilësoi atë si “dështim total diplomatik”, ndërsa zëvendëskryetari i Partisë së Lirë Demokratike (FDP), Wolfgang Kubicki, nuk ishte i vetëm në kërkesën e tij që Grenelli të shpallej person non grata sepse u soll si “komisioner i lartë i një fuqie okupuese”. Ndërhyrja e ambasadorit në çështjet e brendshme gjermane u kritikua edhe nga CDU-ja e Angela Merkelit.
Kishte raste të shumta. Me raste, Grenelli jepte ultimatume me kërcënime për sanksione ndaj kompanive gjermane, më pastaj thoshte se dëshiron të forcojë të drejtat evropiane, apo kur e kritikonte Berlinin – megjithëse në këtë rast, me argumente të mira – për shpenzime të vogla në mbrojtje. Ai konsiderohet edhe si koka prapa vendimit të Donald Trumpit për tërheqjen e disa ushtarëve amerikanë të vendosur në Gjermani. Grenelli ka qasje të mirë te presidenti amerikan.
“Richard Grenell është një superyll”, thotë Trumpi. Ai pret shumë nga arma e tij e mrekullueshme.
Grenelli është emëruar edhe i dërguar i posaçëm i brumçit për “negociatat e paqes” mes Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit 2019. Kjo tingëllon e ekzagjeruar, sepse mes dy vendeve s’ka pasur luftë që nga viti 1999. President amerikan në atë kohë ishte Bill Clintoni, në bazë të të cilit është emërtuar edhe një bulevard në Prishtinë. Edhe pse armët në pjesën më të madhe të kohës kanë qëndruar të heshtura nga ajo kohë, rruga drejt marrëdhënieve normale apo të mira fqinjësore mes dy vendeve është ende e gjatë.
Ulja e numrit të ushtarëve do të ishte sinjal i gabuar
Por, kjo pritet të ndryshojë tani. Më 27 qershor, presidentët e Serbisë dhe të Kosovës, Alleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi”, pritet të bisedojnë në Shtëpinë e Bardhë. Sipas një cicërime të Grenellit, takimi do të jetë për marrëdhëniet ekonomike Serbi-Kosovë. Por, a janë Trumpi dhe ‘superylli’ i tij në të vërtetë duke bërë përpjekje për të negociuar me liderët e dy vendeve të Ballkanit për lidhje hekurudhore apo për heqjen e barrierave tregtare? Në Beograd dhe Prishtinë, ideja se Trumpi dhe Grenelli janë të brengosur me çështjet faktike nuk është shumë popullore. Veçanërisht në Prishtinë, disa frikësohen se Grenelli dëshiron t’ia bëjë dhuratë ‘bosit’ të tij një ‘marrëveshje historike’ të ngutshme. Në fushatën zgjedhore, Trumpi më pas do të pretendojë se “e ka zgjidhur” konfliktin e Kosovës.
Për stabilitetin e rajonit, mund të shpresojmë se gjërat do të rezultojnë ndryshe, sepse tërheqja e trupave amerikane do të ishte sinjal i gabuar. Konflikti i Kosovës nuk mund të zgjidhet shpejt. Në opsionin më të mirë, është e guximshme të mendohet se presidenti “i trashë” amerikan dhe çmenduria e tij diplomatike mund ta ndryshojnë këtë.
Shkrimi i gazetarit Michael Martens u botua origjinal në FAZ, u përkthye nga Gazeta "Zëri".