Maqedonia sot del nga gjendja e jashtëzakonshme, të mërkurën nis fushata zgjedhore

Sot mbaron gjendja e jashtëzakonshme tetëditëshe e shpallur nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Gjendja e jashtëzakonshme, e pesta me radhë, ishte shpallur më 15 qershor, me qëllim që të realizohen përgatitjet e duhura për mbajtjen e zgjedhjeve më 15 korrik, pas marrëveshjes në mes të dy liderëve, të LSDM-së Zoran Zaevit dhe të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të dorëzuara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1598 kandidatë.

Fushata zgjedhore nis të mërkurën, më 24 qershor, ndërsa mbaron më 12 korrik. Partitë gjatë fushatës do të duhen të respektojnë masat për mbrojtje nga pandemia COVID-19, shkruan “Alsat”.

Votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të realizohet për tri ditë, ndërsa do të votohet me fillim në orën 07:00 deri në orën 21:00.

Më 13 korrik do të votojnë personat e diagnostikuar me COVID-19, si dhe personat të cilët kanë vendim për vetizolim.

Më 14 korrik do të votojnë personat me sëmundje kronike, si dhe personat e tjerë që sipas Kodit Zgjedhor votojnë një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhej të mbaheshin më 12 prill, por për shkak të krizës me koronavirusin e ri (COVID-19), si dhe për shkak të shpalljes së gjendjes së parë të jashtëzakonshme në muajin mars, qeveria përmes urdhëresës me fuqi lidhore ndërpreu të gjitha veprimet zgjedhore.