Mustafa merr dy vendime të reja drejt përshpejtimit të pagesave të granteve për bujqit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, pas lehtësimit të masave mbi menaxhimin e COVID-19, përmes dy vendimeve të reja, të cilat hyjnë në fuqi më datë 22.06.2020 (e hënë), inkurajon fermerët dhe agropërpunuesit që të vazhdojnë me punën e tyre të pandalshme në implementimin e projekteve të granteve.

Në këtë drejtim janë shfuqizuar dy vendime pezulluese, me qëllim që përfituesit e granteve të përfitojnë pagesat e tyre sa më parë: Vendimi nr. 66/20 i datës 16 mars 2020 për pezullimin e përkohshëm të afateve për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019. Me shfuqizimin e vendimit në fjalë obligohen të gjithë fermerët përfitues të projekteve të Programit të Zhvillimit Rural 2019 t’u përmbahen afateve procedurale të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) me Nr. 16/2019 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2019, të datës 21.05.2019.

Vendimi Nr. 72/20, i datës 23 mars 2020, që ndërlidhet me shtyrjen e afateve procedurale për marrjen e lejeve dhe licencave, lidhur me fushën e hortikulturës, produkteve për mbrojtjen e bimëve, plehrave, mbrojtjes së bimëve, farërave, blegtorisë, pylltarisë, verëtarisë dhe shërbimeve këshilluese për bujqësi. /Zëri/