Mbi 163 mijë aplikues për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale, s’pati parregullsi

Mbi 163 mijë punëtorë kanë aplikuar për kompensim nga Pakoja Emergjente Fiskale si ndihmë për bizneset gjatë pandemisë.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, në një intervistë për “Ekonominë Online” ka deklaruar se bizneset nuk kanë pasur asnjë problem gjatë parashtrimit të kërkesave falë sistemit të ATK-së.

Murtezaj potencoi se mbi 161 mijë punëtorë kanë kërkuar kompensim, 1 mijë e 670 punëtorë, të cilëve u është shkëputur kontrata, si dhe 14 mijë e 800 punëtorë, të cilët kanë lidhur kontratë nga data 1 mars.

Kurse nga punëtorët e dyqaneve ushqimore, të furrave dhe të farmacive, e cilësuar si kategoria e rrezikuar, janë paraqitur 18 mijë e 387 punëtorë.

“Ne kemi përgatitur platformën për krijim të mundësive që bizneset të parashtrojnë kërkesat e tyre për përfitim nga Pakoja Emergjente Fiskale. Nga data 11 prill bizneset kanë parashtruar kërkesat e tyre deri më 15 maj pa asnjë ankesë në çështje teknike.

Kemi pranuar kërkesa për kompensim të pagave sipas kategorisë A, B dhe C, si dhe kategoria e rrezikuar, ku kanë përfituar punëtorët e dyqaneve ushqimore, të furrave dhe të farmacive.

Për kategorinë A mbi 161 mijë punëtorë kanë kërkuar kompensim, për kategorinë B punëtorët të cilët kanë shkëputur kontratën janë 1 670, për kategorinë C, që nënkupton punëtorët të cilët kanë lidhur kontratë nga data 1 mars 14 mijë e 800 punëtorë.

Ata me rrezikshmëri janë 18 mijë e 387. Gjithsej totali i punëtorëve për të cilët është kërkuar kompensim është mbi 163 mijë të punësuar”, ka thënë Murtezaj.

Me tej, Murtezaj ka folur edhe për tentimet e bizneseve për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale për shkak të interesave personale, por që sipas Murtezajt janë identifikuar menjëherë nga sistemi i ATK-së, raporton EO-ja.

“Nga aspekti i parregullsive brenda procedurës së parashtrimit të kërkesave dhe shqyrtimit që është bërë nga Ministria e Financave kanë hasur në komision raste që kanë tentuar për shkak interesit të individëve të përfitojnë dy ose më shumë herë, por sistemi ynë i ka identifikuar rastet”, tha ai.